Ballkani Perëndimor po shkon drejt Europës

Nga Suma Chakrabarti*

-President i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërkohë që goditjet politike për të ardhmen e Europës vazhdojnë, është e rëndësishme që të mbajmë mend që janë gjashtë vende në Ballkanin Perëndimor të lidhura ngushtë me ecurinë europiane.
Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia po punojnë në mënyrë aktive për të arritur objektivat e fundit të anëtarësimit të BE-së. Të gjitha këto vende kanë një marrëveshje kontraktuale me BE-në nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të cilat janë të detyruara ta përmbushin.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një institucion ndërkombëtar financiar që e shikon integrimin ndërkufitar si një nga prioritetet e saj, i mbështet plotësisht këto objektiva. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, afrimi me BE-në nuk do të thotë thjesht investime dhe reforma. Kjo përfaqëson vizionin e paqes dhe mirëqenies, objektiva të cilat BE-ja vetë i ka arritur për vendet anëtare të saj.
Një muaj më parë, vizitova Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe rikonfirmova mbështetjen e BERZH-it për ambicien e tyre europiane. Të njëjtën gjë do të bëj me Bosnjën dhe Serbinë këtë javë dhe me Maqedoninë në muajt e ardhshëm. Në takimin tim me liderët e rajonit, kam parë angazhim të qartë në procesin e integrimit europian dhe reformave që duhen për të ecur përpara.
Sfidat para janë të panumërta.
Në vija të trasha, PBB-ja për frymë në Ballkanin Perëndimor, rregulluar për barazinë e fuqisë blerëse, është sa gjysma e vendeve të Europës Lindore, një e treta e vendeve anëtare të Europës Jugore, si dhe një e katërta e vendeve të pasura. Në indeksin global të konkurrueshmërisë, publikuar në Forumin Ekonomik Botëror, Ballkani Perëndimor mbetet prapa fqinjëve të BE-së, duke përfshirë edhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Por, mundësitë dhe potenciali është me bollëk: konkurrueshmëria po përmirësohet gradualisht; situata makroekonomike ka qenë e qëndrueshme në vitet e fundit; vendet kanë shënuar përmirësim në treguesit e sistemit shëndetësor e arsimor; teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; si dhe ka një potencial në tregti, transport, energji, turizëm dhe sektorë të tjerë.
Si mund të arrihet ky potencial? Tre përbërësit kryesorë janë: reforma të mëtejshme, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe rritja në investime.
Reformat kanë pasur një progres të dukshëm në këtë fushë, pavarësisht rrethanave të vështira ekonomike vitet e fundit, dhe porti europian ka qenë një nxitës i jashtëm kyç. Në dhjetor të 2015-s, Serbia hapi kapitujt e parë të bisedimeve dhe tani po punon në reformimin e sipërmarrjeve shtetërore dhe privatizimin e mëtejshëm. Vetëm disa ditë para vizitës sime në Shqipëri, Parlamenti miratoi reformën në drejtësi, një proces i vështirë që mund të kishte marrë një rrugë tjetër pa mbështetjen e Europës. Bosnjë dhe Hercegovina, që aplikoi formalisht për anëtarësinë në BE këtë vit, po ecën para me axhendën e reformave, të ndërmarra nga BE-ja dhe të hartuara në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare dhe të përqafuara plotësisht nga vendi.
Duke marrë parasysh nga vijnë këto vende, shpirti i bashkëpunimit midis liderëve në rajon ka qenë për t’u lavdëruar. Dialogu midis gjashtë kryeministrave filloi nga BERZH-i në vitin 2014, në Samitin e Parë të Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Muaj më vonë, në Berlin, kjo mori trajtën e një procesi që përfshin 6 vende të Ballkanit Perëndimor dhe 6 vende anëtare të BE-së, i cili u njoh si Procesi i Berlinit. Ballkani Perëndimor dhe liderët e BE-së u takuan në Paris për herë të tretë në korrik 2016.
Rritja e bashkëpunimit është parë konkretisht, si p.sh., në projektet e transportit dhe energjisë, me propozimin e “Autostradës së Paqes” që do të kalojë nga Serbia, Kosova dhe Shqipëria, si dhe projekte të tjera që kanë në thelb rrjetin transportues sipas marrëveshjes së Procesit të Berlinit. Në Londër, në shkurt të 2016-s, ne prezantuam lidhjen e vendeve të Europës Juglindore, një platformë inovative rajonale që lidh bursat rajonale.

Mundësi të reja investimi
Investimet e Huaja Direkte (IHD) në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur pas në vite: në të dhënat për frymë, rajoni ka tërhequr më pak se gjysmën e nivelit të investimeve se në 11 vendet anëtare të BE-së, të rajonit të Europës Juglindore dhe vendeve baltike. Por, ndërsa reformat ecin para dhe bashkëpunimi rritet, tregje të reja do të hapen dhe do të ketë mundësi të reja investimi. Kina e shikon rajonin si një urë lidhëse me Europën Perëndimore dhe ka rreshtuar shumë programe investimi në infrastrukturë. BE-ja ka nevojë për bashkëpunimin rajonal, këtu përfshihet dhe projekti i TAP-it që do të sjellë gazin kaspik përmes Shqipërisë në Itali, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Dhe për sa i përket sektorit të korporatave të rajonit, integrimi dhe afrimi me BE-në mund të hapë tregje të reja.
BERZH-i po jep kontribut të rëndësishëm ndaj arritjes së këtyre reformave. Ne kemi investuar një total prej 9.5 miliardë eurosh në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kemi ndihmuar me mijëra sipërmarrje të mesme dhe të vogla me anë të këshillimit. Kontributi ynë përfshin 2.8 miliardë euro në projektet e transportit, ku përfshihen tre korridoret paneuropiane që lidhin Ballkanin me Europën. Ne jemi një nga investitorët institucionalë në këto vende dhe që përmirësojmë klimën dhe qeverisjen e biznesit.
Për ata që nuk mund të shohin përfitimet e hapjes së kufijve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, unë rekomandoj një vizitë në Kosovë. Shteti më i ri i Europës është gjithashtu edhe më i izoluari. Liberalizimi i vizave me BE-në është planifikuar për më vonë këtë vit, por tani për tani, kosovarët kanë nevojë për viza për të shkuar kudo, për të punuar, për të studiuar, apo edhe për të vizituar familjarët, nga të ardhurat e të cilëve varen ekonomitë e tyre familjare.
Në periferi të Prishtinës ndodhet një fabrikë e mbyllur me xhama të thyer, për të cilët vendasit thonë se dikur prodhonte pjesë për Gorenje-n një fabrikë prodhimi e elektro-shtëpiakëve që ka qenë popullore në Europë për shumë dekada.
Sot, Gorenje është një korporatë shumëkombëshe, që ka zyrat qendrore në BE. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë në rrugën e tyre të reformave ekonomike, bashkëpunimit dhe politika miqësore të investimit, firmat europiane një ditë do të rihapin fabrikat e mbyllura në Kosovë, si dhe do të ndërtojnë të reja së bashku me to. Ata do të hapin kompani që do të krijojnë vende të reja pune për shumë të rinj.

*Financial Times

SHKARKO APP