Ballkani, vazhdon që të japë shembuj ndëshkimi
Ballkani, vazhdon që të japë shembuj ndëshkimi ndaj ministrave apo atyre që deri dje kanë qenë pjesë e qeverive të tij, kundrejt gabimeve të tyre të së tashmes, por dhe të së djeshmes. Kështu, vende me të cilët kemi patur thuajse të njëjtin rrugëtim të ngjashëm në histori apo dy dekada e gjysmë kapitalizëm, kanë treguar se zbatojnë një politikë tjetër ndëshkimi kundrejt asaj të shtetit shqiptar për zyrtarët e zhytur në korrupsion. Shembulli më i fundit, vjen pikërisht nga Rumania, prokurorët e së cilës kanë zgjeruar një hetim ndaj ish-ministrit të Financave, Darius Valcov, i akuzuar se ka siguruar përfitime nga biznese të paligjshme. Teksa ky figuron që të jetë në faktfigura më e lartë e dorëhequr politike e vendit, e cila është vënë nën hetim për korrupsion, në këtë valë goditjesh të vazhdueshme kundër marrjes së ryshfetit në nivele të larta. Të mos harrojmë se ka qenë pikërisht ky shtet i cili dënoi me plot katër vite e gjashtë muaj burg ish-kryeministrin e tij, Adrian Nastase, për çështje korrupsioni, dhe më pas e liroi atë me kusht. Ku megjithë këtë të fundit, Rumania tregoi se gjithsesi e kishte dhënë shembullin më të lartë dhe të pastër të goditjes ndaj zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin teksa e kanë patur në duar atë. Një dukuri kjo, e cila nuk e kemi parë të ndodhë aspak në vendin tonë, edhe pse qeveria e sotme, deri dje në opozitë ka shigjetuar vazhdimisht zyrtarët e djeshëm për përfshirje të tyre në afera korruprive dhe vënie pasurie të pamerituar. Ajo çka ndodh rëndom është vetëm gjobitja e tyre prej institucionit përkatës të caktuar për verifikimin e pasurisë së tyre. Apo e shumta edhe përfolja në media apo edhe qarqet politike për të tilla afera dhe aludime të ekzistencës së dosjeve të ndryshme, të cilat edhe kur venë deri në dyert e prokurorisë, nuk arrijnë të prangosin asnjë prej tyre. Në këtë këndvështrim, Shqipëria duhet thënë se lë ende për të dëshiruar, krahasuar me vendet e tjera të rajonit që e rrethojnë atë. Duke dhënë kësisoj, shembullin e një vendi i cili ende nuk e gëzon kurajon e vet politike por edhe qytetare të ndëshkueshmërisë së korrupsionit si i tillë. Kurajo që vende si Rumania, Kroacia etj, e kanë dhënë shpesh, në këmbim të ecjes para në rrugën e reformave të integrimit të vendit drejt strukturave të Bashkimit Evropian. Mjafton të kujtojmë shembullin e fundit që mbërrin nga Kroacia ku ministrja e Kulturës, Andrea Zlatar Violiç, paraqiti dje dorëheqjen zyrtare, pikërisht për shkak të shpenzimeve jo transparente të parave në ministrinë e saj. "Kryeministri Milanoviç pranoi sot dorëheqjen me shkrim të ministres së Kulturës dhe do shkarkohet nga detyra ditën e sotme", u njoftua në faqen zyrtare të qeverisë kroate lidhur me një fakt të tillë. Teksa këtë veprim të Ministres së Kulturës e dënuan publikisht kolegët e saj të partisë në qeveri, ministri i Ekonomisë, ministrja e Ndërtimit dhe ministrja e Jashtme.
Rumania
Prokurorët kanë zgjeruar një hetim ndaj ish-ministrit të Financave, Darius Valcov, i akuzuar se ka siguruar përfitime nga biznese të paligjshme.
Kroacia
Ministrja e Kulturës, Andrea Zlatar Violiç, paraqiti dje dorëheqjen zyrtare, pas akuzave për shpenzime jotransparente të parave në ministrinë e saj.
DUKURIA
Modeli “Shqipëria 1 Euro”, tani ndiqet dhe nga Ballkani
Kur u lançua për herë të parë në vendin tonë, ajo shkaktoi një impakt të çuditshëm. Kështu, nisma “Shqipëria 1 Euro” megjithë lehtësitë që mbartte për biznesin e huaj që ftohej të investonte këtu, fillimisht u duk paksa absurde për vetë konotacionin që mbartte si togfjalësh verbal. Por koha kaloi dhe më shumë se kaq, ajo jo vetëm që rezultoi si një nismë e cila kishte sukses për t’u dhënë investitorëve të huaj ato pasuri shtetërore që konsideroheshin më joefiçente për t’u vënë në përdorim të publikut të gjerë, por edhe si një model që tashmë kanë nisur ta vënë në përdorim edhe vende të tjera të rajonit. Kështu, ditët e fundit, mediat bullgare kanë konfirmuar lajmin se një konsorcium investitorësh i regjistruar në Luksemburg ka blerë kompaninë më të madhe bullgare të telekomit ”Vivacom” dhe disa kompani të tjera me çmimin: vetëm një euro!. Kështu, një shprehje e cila fillesën e saj e pati nga vendi ynë, duket se po kthehet në një praktikë të suksesshme edhe për vendet e tjera të rajonit. Konkretisht, referuar në detaje lajmit të komentuar në mediat e Sofjes, kompania e investimeve me kapital privat, LIC33 mori 43% të “Vivacom”-it, 91% të fabrikës së armatimeve ”Dunarit”, uzinën e riparimit të avionëve luftarakë ”Avionams” dhe disa kompani të tjera për një euro. Kapital ky i cili u ble nga biznesmeni bullgar, Cvetan Vasilev me premtimin për shlyerjen e borxheve me vlerë 900 milionë euro.