Bamir Topi rrëfen takimin me Ramën kur opozita ishte në çadër: Pse më surprizoi marrëveshja me Bashën

Marrëveshja Rama-Basha ka ngjallur reagime të ndryshme, ku më të ndjeshëm kanë qenë ato nga partitë e vogla, të cilët preken për shkak të mungesës së koalicioneve. Kreu i FRD-së, Bamir Topi thotë se është surpizuar nga kjo marrëveshje, pasi gjatë një takimi që ka patur më herët me kryeministrin Edi Rama është njohur edhe me qëndrimin e këtij të fundit lidhur me protestën e opozitës.

Në emisionin “Studio e hapur” me gazetaren Eni Vasili në studion e “News24”, Topi ka rrëfyer edhe momente nga takimi i tij me kryeministrin Rama gjatë ditëve që opozita ndodhej në çadrën e protestës.

“Unë e kam takuar Ramën gjatë kohës kur opozita ishte në çadër. Padyshim që nuk ishte i qetë për faktin se protestohej pranë zyrës së tij. por nga ana tjetër dukej i qetë për faktin se mund të shkonte në zgjedhje edhe pa PD. Unë këtë bisedë e kam bërë drejtpërdrejt dhe rrëfeje. I kam thënë se së pari historia e kësaj marrëdhënie, çadër në bulevard dhe zyrë në kryeministri nuk është e alternuar. E keni bërë dhe ju dhe keni krijuar një precedent. Por kjo nuk duhet të vazhdojë. Unë kam qenë një kryetar shteti dhe i kam thënë se nuk duhet të ndihesh kurrë i lumtur që të shkosh në zgjedhje pa opozitën.

Unë atje në çadër kam kundërshtarin tim politik, ndoshta edhe me doza personale, por zgjedhje pa opozitën nuk është pozitive. Ndaj them se marrëveshja Basha-Rama ishte surprizë. Nga ana tjetër kujtojmë që edhe Basha thoshte nuk shkojmë në zgjedhje me Ramën. Por unë e pranoj rolin e madh të ndërkombëtarëve. Ndërhyrja e tyre i ul palët, por këta shkuan edhe më tej, me këtë marrëveshje. Unë mund të them se kjo marrëveshje ishte e papritur, e papërgatitur, pasi kanë qenë shumë kaotikë para arritjes së saj. Dhe më pas kanë arritur një marrëveshje okulte”, u shpreh Topi.

SHKARKO APP