Banka Botërore: Në Shqipëri, 48% e të punësuarve informalë
Tregu i punës në Shqipëri në sektorët jobujqësore është 48 % në informalitet. Shifrat alarmante për të punësuarit e padeklaruar i ka dhënë Banka Botërore në një studim të posaçëm të publikuar kohët e fundit për tregun e Punës në Shqipëri.
Raporti i Bankës Botrërore vëren se cilësia e punësimit është e ulët dhe se informaliteti është mjaft i përhapur. Banka referon gjithashtu se vlerësimet e anketës së fuqisë punëtore sugjerojnë se afër gjysma e punësimit total jashtë bujqësisë korrespondon me punësimin informal dhe pothuajse tre të katërtat e punës në ndërtim është informale.
Banka Botërore vëren se niveli arsimor i punëtorëve jashtë bujqësisë është gjithashtu i ulët, veçanërisht në disa sektorë. Sektori i ndërtimit thith shumë punëtorë të pakualifikuar, ku më shumë se gjysma e vendeve të punës të ndërtimit janë të zëna nga punonjës me arsim fillor. Në të kundërt të ndërtimit, sektori i shërbimeve ka shumicën e punonjësve të kualifikuar. Rreth 82% e punonjësve në shërbime janë me arsim të lartë.
Studimi i Bankës Botërore vlerëson se, në sektorin e ndërtimit 70% e të punësuarve nuk deklarohen, në sektorin e shërbimeve madhësia e informalitetit është 35% dhe në sektorin e industrisë është 46 %. Nga ana tjetër referuar të dhënave të INSTAT shihet se, në sektorin e shërbimeve janë të angazhuar 62% e të punësuarve, në sektorin e ndërtimit 10%, ndërsa në atë të industrisë 28%.
Banka Botërore ka konstatuar se Shqipëria përballet me sfida të shumta të tregut të punës. Sektori i bujqësisë punëson një pjesë të madhe të fuqisë punëtore, më aftësi të ulta, shumica e të cilëve janë punëtorë të papaguar të familjes ose të vetëpunësuar. Jashtë bujqësisë, informaliteti është i lartë dhe shumë prej tyre janë me kualifikim të ulët. Shifrat e e punësimit tregojnë rezultate të dobëta tek gratë dhe tek të rinjtë.
Banka e Botërore vëren gjithashtu se Shqipëria nuk ka një axhendë politike për të angazhuar me punë të varfrit, në të cilën mundësitë për punësim të jenë të arritshme për të gjithë.