Banka Botërore: Shqipëria vijon rritjen e saj ekonomike
Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare u rrit me nivelin prej 2.1% në vitin 2014, pavarësisht përkeqësimit të situatës në Eurozonë. Drejtoresha e Bankës për Europën Juglindore, Ellen Goldstein, tha se efektet negative nga ngadalësimi i Eurozonës u kompensuan nga ecuria më e mirë e ekonomisë së brendshme.
“Kjo është arsyeja që vlerësimi ynë për Shqipërinë nuk ka ndryshuar. Nëse Eurozona do të kishte ruajtur të njëjtën rritje ekonomike që ne parashikonim në fillim të vitit për të, atëherë Shqipëria do ta kishte tejkaluar objektivin e saj prej 2.1% dhe do të kishte patur një rritje më të lartë. Megjithatë ajo që është e rëndësishme është fakti se Shqipëria rritet pavarësisht Eurozonës”, tha Goldstein. Nga ana tjetër, ekspertët e Bankës Botërore thonë se ishin investimet dhe konsumi ato që kanë patur një ecuri më të mirë nga vlerësimet e fillimvitit, duke kompensuar pasojat negative të Eurozonës. “Konsumi ka qenë nën presion, sidomos në vitin 2013. Ndoshta rritja e konsumit ka ardhur edhe si rezultat i tendencës për t’u kthyer në një trajektore normale të konsumatorit shqiptar”, tha ekspertja Hilda Shijaku. Ky vlerësim erdhi vetëm një ditë pasi BERZH-i e korrigjoi në ulje rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2014-ën, nga 1.7 në 1.5%. Por Goldstein thotë se parashikimet e Bankës Botërore janë më të sakta. “Siç e thashë, përgjatë vitit në Shqipëri kemi parë ekonominë të përmirësohet dhe besoj se edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do ta rishikojë në rritje vlerësimin e saj. Si ne dhe BERZH bazohemi tek të njëjtat shifra që prodhohen nga institucionet tuaja dhe do jetë e pamundur të kemi një ndryshim kaq të madh në vlerësimin për rritjen. Pra, besoj se shifrat tona do konvergjojnë rreth nivelit 2%”, tha Goldstein. Gjithashtu, drejtoresha Goldstein ka dashur të shprehë pozicionin e Bankës edhe për reformën e energjisë, e shndërruar në një çështje e nxehtë debati mes maxhorancës dhe opozitës. “Ne mbështesim fuqishëm përpjekjet dhe reformën që po ndërmerret në sektorin energjetik. Unë e di që mund të ketë patur disa momente kur masat janë dukur të ashpra. Por e rëndësishme është që tani të gjithë konsumatorët paguajnë të njëjtën tarifë të arsyeshme dhe qeveria të mbajë një skemë funksionale për mbrojtjen e familjeve të varfra. Dhe unë besoj se të dyja këto masa tashmë janë realizuar”, tha Goldstein.