Banka e Shqipërisë skeptike për rritjen, 3% në 2016-ën

Pjesa më e madhe e analizave ekonomike dhe statistikore të përditësuara për Shqipërinë, parashikojnë një rritje ekonomike prej 3% – 3.5% në vitin 2016.

Sipas një analizë të Ministrisë së Ekonomisë ka një përceptim se, kjo rritje do të mbështetet nga një trend pozitiv i konsumit të brendshëm dhe investimeve, të financuar kryesisht nga sektori privat por dhe nga investimet e huaja direkte (IHD).

Ekonomia gjithashtu do të përfitojë nga një ambient monetar akomodues dhe kushte të favorshme financiare. Trendet e të dhënave për vitin 2016 ndjekin të njëjtën ecuri të tremujorit të katërt të 2015, gjithashtu dhe të parashikimeve të lartpërmendura. Kontributi i Sektorit Publik në rritjen ekonomike pritet të jete i ulët, në përputhje me angazhimet për konsolidimin fiskal të llogarive kombëtare. Grafiku 1: Ecuria historike e PBB-së, parashikimet e 5 institucioneve finaniare vendase dhe të huaja.

Parashikimin më të ulët për rritjen e ka Banka e Shqipërisë me vetëm 3%, teksa Qeveria, Banka Botërore dhe FMN presin që rritje të jetë 3.4%, ndërsa BERZH 3.3%. Mesatarja e të gjitha parashikimeve jep një rezultat të pritshmërive për rritjen në nivelin 3.3%.

Por duket se ecuria e deritanishme e ekonomisë i jep të drejtë Bankës së Shqipërisë.

Qeveria ka miratuar tashmë uljen e pritshmërive për rritjen ekonomike të këtij viti me rreth 20 miliardë lekë më pak.

Në aktin normativ për ndryshimet nw buxhetin 2016 parashikohet që PBB-ja të rritet këtë vit me 1,51 trilionë lekë, ndërsa në buxhetin e fillimvitit qeveria priste që PBB-ja e vendit të rritej me 1, 53 trilionë ose 20 miliardë lekë më pak.

Në planifikimet e saj të fillimvitit, qeveria priste që ekonomia e vendit të zgjerohej me rreth 94.7 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë, në analizën më të fundit për zhvillimet ekonomike në vend, tha se informacioni i ri i disponuar dhe përditësimi i analizave, nuk kanë prodhuar ndryshime të ndjeshme në parashikimet afatmesme në lidhje me rritjen ekonomike të vendit.

Banka analizon se, ekonomia shqiptare pritet të kthehet në ekuilibër gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, çka do të krijojë më tej premisa për kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2018.

SHKARKO APP