Banka e Shqipërisë ul sërish normën bazë të interesit për Lekun, e çon në 2%
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim sot dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.
Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.00%.
Kjo është hera e 13, që institucioni monetar qendrore redukton normën bazë, që nga shtatori 2011, kur filloi politika agresive lehtësuese monetare, që synonte uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Ulja më e fundit u bë në fund të nëntorit të vitit të kaluar.