Banka në prag falimentimi? Ja sesi mund të rimëkëmbet

Nëse një bankë gjendet në vështirësi financiare dhe nuk do t’i ofrohet mbështetje me fonde publike, atëherë ajo ka të drejtë të nisë të vërë në zbatim të ashtuquajturin “plan të rimëkëmbjes”. Ku ky i fundit është pikërisht një dokument me masat e mundshme të rimëkëmbjes që mund të ndërmarrin vetë bankat për të rikthyer në normalitet gjendjen e tyre financiare dhe siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë në përgjigje të skenarëve të mundshëm që mund të cënojnë këtë vazhdimësi. I miratuar tashmë nga Banka e Shqipërisë dhe i zyrtarizuar në Fletoren Zyrtare, ai parashikon edhe faktin se banka i koncepton këto masa si zgjidhje me natyrë të jashtëzakonshme, të cilat nuk ndërmerren përgjatë veprimtarisë normale të biznesit. Teksa planet e rimëkëmbjes në vetvete synojnë të reduktojnë probabilitetin e dështimit të bankave sistemike. “Bankat, në përgatitjen e Planeve marrin në konsideratë supozimin bazë, se në këtë proces nuk do të ofrohet mbështetje me fonde publike (fondet e taksapaguesve), duke synuar minimizimin e nevojës për ndërhyrjen e institucioneve shtetërore”, sqarohet gjithashtu në këtë dokument. Po cilat janë konkretisht pikat kryesore të një plani rimëkëmbjeje? Para së gjithash, ato kanë të bëjnë me drejtimin e bankës, që në momente të vështira i caktohet një administrator i caktuar. “Duhet edhe konfirmimi se banka ka ngritur një kuadër drejtimi dhe kontrolli të brendshëm të përshtatshëm për të siguruar se informacioni është domethënës dhe me cilësinë e duhur. Sikundër, duhet edhe përshkrimi se si banka do të sigurojë se informacioni i nevojshëm për zbatimin e mundshëm të masave të rimëkëmbjes do të vihet në dispozicion për vendimmarrje në situata problematike, në mënyrë të besueshme dhe të shpejtë”, saktëson udhëzimi lidhur me një fakt të tillë. Për të vijuar më tej me detyrimin për të realizuar një analizë strategjike btë bankës, e cila bazohet pikërisht në strukturën dhe veprimtarinë e bankës, si edhe harmonizimin e planit me strategjinë e përgjithshme të saj. Sikundër, kur banka është pjesë e një grupi të huaj, ajo siguron shpjegimet e nevojshme mbi pozicionin e filialit/degës së bankës së huaj në Shqipëri si pjesë e grupit duke përfshirë. Ndërsa kërkesat minimale të kësaj analize janë përshkrimi i strukturës së përgjithshme të bankës ose grupit duke treguar qartë entitetet ligjore sipas madhësisë së aktiveve;  përshkrimi i strategjisë së përgjithshme të biznesit dhe rrezikut, dhe harmonizimit të planit me këto strategji; përshkrimi i modelit të biznesit dhe veprimtarive kryesore; përshkrimi i linjave kryesore të biznesit dhe funksioneve kritike; informacion mbi depozitat e mbuluara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe depozitat e pambuluara. Pa harruar as faktin se bankat duhet të përgatisin një analizë se si do të aplikojnë për shfrytëzimin e mbështetjes me likuiditet nga Banka e Shqipërisë dhe/ose banka qendrore të huaja, ku mund të kenë akses në situata problematike. Në këtë kuadër bankat duhet të vlerësojnë Rrethanat në të cilat mund të kërkojnë mbështetje me likuiditet nga Banka e Shqipërisë; Një vlerësim të faktorëve që mund të ndikojnë aftësinë e bankës për të shfrytëzuar mbështetjen me likuiditet nga Banka e Shqipërisë, përfshirë analizën e aktiveve që mund të përdoren për këtë qëllim dhe sasisë së likuiditetit që mund të përftohet bazuar në këto aktive. Pa përjashtuar as mundësinë e shitjes së bankës.

 

 

PLANI

I rimëkëmbjes është një dokument që paraqet masat e mundshme të rimëkëmbjes që mund të ndërmarrin vetë bankat për të rikthyer në normalitet gjendjen e tyre financiare dhe siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë në përgjigje të skenarëve që mund të cënojnë këtë vazhdimësi. Banka i koncepton këto masa si zgjidhje me natyrë të jashtëzakonshme, të cilat nuk ndërmerren përgjatë veprimtarisë normale të biznesit. Planet e rimëkëmbjes synojnë të reduktojnë probabilitetin e dështimit të bankave sistemike.

 

 

 

 

LISTA

 

Kërkesat raportuese

dhe ato mbikëqyrëse

 

1.Bankat i paraqesin planet pranë Bankës së Shqipërisë çdo vit, jo mëvonë se fundi i tremujorit të parë të vitit.

 

2.Banka e Shqipërisë vlerëson përputhshmërinë me kërkesat e këtij udhëzimi, realizimin dhe besueshmërinë e Planeve të paraqitura nga bankat.

 

3.Banka e Shqipërisë zhvillon një dialog të vazhdueshëm me bankat, si dhe kryen gjithë vlerësimet e nevojshme në kuadrin e mbikëqyrjes nga jashtë dhe në vend, për t’u siguruar efektivisht mbi aftësinë e tyre për t’u rimëkëmbur në rast nevoje, si dhe nivelin e gatishmërisë së tyre operacionale.

 

4.Banka e Shqipërisë u komunikon bankave rekomandimet e nevojshme për trajtimin e mangësive të identifikuara dhe përmirësimin e planeve, përcakton afatet për pasqyrimin e këtyre rekomandimeve, si dhe monitoron zbatimin e tyre.

 

5.Banka e Shqipërisë, kur konstaton mosrespektimin, nga bankat të detyrimeve të këtij udhëzimi dhe/ose rekomandimeve të saj për përmirësimin e Planeve, zbaton masat administrative, mbikëqyrëse, parandaluese dhe ndëshkimore të parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

 

 

 

 

 

Masat e mundshme të shitjes

 

Bankat duhet të përgatisin planet përkatëse për shitjen e mundshme të aktiveve/linjave të biznesit. Në këtë kuadër bankat do të sigurojnë informacionin e mëposhtëm:

 

• Blerësit e mundshëm;

• Përshkrimi i procesit të drejtimit dhe kontrollit për miratimin e transaksioneve;

• Komente mbi çështje të mundshme lidhur me konkurrencën;

• Përshkrimi i pengesave të mundshme ligjore;

• Vlerësimi i implikimeve me natyrë rregullative dhe tatimore;

• Vlerësimi i çështjeve lidhur me burimet njerëzore dhe pensionet;

• Shpjegimet përkatëse mbi procesin e diligjencës dhe konfirmimi se nuk do të ketë pengesa në shkëmbimin e informacionit, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në shkëmbimin e informacionit me Bankën e Shqipërisë, blerësit potencialë të aktiveve etj.

• Shpjegimi nëse banka ka konsideruar më parë mundësinë e shitjeve të tilla e përshkrimin e rezultateve të këtyre përpjekjeve.

 

 

 

Masat e mundshme të rimëkëmbjes

 

Për çdo masë rimëkëmbjeje duhet:

 

 • Përshkrimi i efektivitetit të zbatimit të masës, shoqëruar me të dhëna mbështetëse përfshirë përfitueshmërinë, profilin e rrezikut, operacionet, dhe flukset e parasë të bankës;

• Shpjegimi i ndikimit sasior dhe cilësor mbi kapitalin dhe likuiditetin dhe përshkrimi i supozimeve përkatëse;

• Përshkrimi i ndikimit sasior dhe cilësor të masës së rimëkëmbjes në operacionet e biznesit dhe funksionet mbështetëse;

• Përshkrimi – në rastet kur është i aplikueshëm – i ndikimit në vlerësimin e jashtëm të kredisë të bankës, pas zbatimit të masës së rimëkëmbjes.

 

SHKARKO APP