Bankat, Braçe: Policia do mbikëqyrë kompanitë, masat e reja brenda tetorit

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko kanë raportuar në Komisionin e Ekonomisë për situatën mbi masat shtesë për sigurinë fizike dhe atë të informacionit në sistemin bankar nisur nga grabitjet në Rinas, por edhe të bankave të tjera të nivelit të dytë në Tiranë.

Pas përfundimit të raportimit me dyer të mbyllura, kryetari i Komisionit, Erjon Braçe u shpreh policia e shtetit do mbikëqyrë kompanitë e sigurisë fizike që kontraktojnë bankat.

Duke u ndalur te grabitjet, ai deklaroi se ka pasur 34 vjedhje në 2013 në sistemin bankar, tani vetëm 7. Braçe tha se ka pasur një vakum në legjislacion, ndërsa  masat e reja do të futen në fuqi brenda muajit tetor.

“Dy titullarët raportuan për rregullat e sigurisë në banka. Ka pasur një vakum në legjislacion. Ligji i ri detyron bankën të monitorojë sistemet e sigurisë së bankave. Policia e shtetit do mbikëqyrë kompanitë e sigurisë fizike që kontraktojnë bankat. Të dy institucione do të ndjekin një plan të detajuar. Nuk bëhet fjalë për sigurinë e depozitave të qytetarëve. Masat kanë qëllim sigurimin e transfertave në cash, si dhe rezervat e larta në cash që mbajnë bankat. Ka pasur 34 vjedhje në 2013 në sistem, tani vetëm 7, ndërsa masat e reja të sigurisë brenda tetorit”- deklaroi deputeti socialist.

Përsa i përket grabitjes së bankës në Ish-Bllok, Braçe u shpreh se kasaforta e bankës kishte vetëm një mur që rrezohej me një të shtyrë.

“Rasti i fundit i vjedhjes së bankës në Bllok ka nxjerrë në drite nevojat për rritjen e sigurisë. Kasaforta e bankës në Bllok kishte vetëm një mur që rrezohej me një të shtyrë”- tha ai.

Në Qershor në aeroportin e Rinasit u grabitën rreth 1 milionë Euro të një banke të nivelit të dytë që do të transferoheshin jashtë vendit, ndërsa pak javë në parë në ish-Bllok ndodhi një tjetër grabitje në një bankë të nivelit të dytë ku u morën 21 milionë lekë.

SHKARKO APP