“Bankers Petroleum” pezullon arbitrazhin ndaj shtetit shqiptar
Pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me “Bankers Petroleum”, është arritur marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011.
Teksa, burimet zyrtare të MEI-t bënë me dije sot se “Bankers Petroleum” është dakordësuar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.
Eksperti i përzgjedhur është “PricewaterhouseCoopers”, kompani e njohur ndërkombëtarisht, e cila do të asistohet edhe nga ekspertët e kompanisë “Navigant Consulting”, e specializuar për analizën e shpenzimeve hidrokarbure. Ndërsa raporti përfundimtar i ekspertëve mbi mosmarrëveshjen mes shtetit shqiptar dhe “Bankers Petroleum” parashikohet të jetë gati brenda 4 muajsh.
Negociatat mes institucioneve shqiptare dhe “Bankers Petroleum” janë zhvilluar në përputhje me vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit dhe parashikimet përkatëse në marrëveshjen hidrokarbure. Në procesin e negocimit, institucionet shqiptare janë asistuar nga Avokatura e Shtetit si dhe kompani ndërkombëtare të mirënjohura avokatie si Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle LLP.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë deklaron gjithashtu se bashkë me “Bankers Petroleum” kanë rënë dakord edhe për nisjen e një procesi negociatash për amendimin e marrëveshjes hidrokarbure, me synim përmirësimin e termave financiare të marrëveshjes, duke korrigjuar problematikat e hasura deri tani dhe përmirësuar procedurat për një kontroll më efikas të strukturave të shtetit.