Banorët e Velipojës: Na ndihmo SPAK se na grabitën tokat tona dhe po ndërton “investitori strategjik”!

Tensionet rreth ndërtimit të një resorti strategjik në zonën e Baks-Rrjollit janë zhvendosur para dyerve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku dhjetëra banorë protestuan ditën e sotme, duke akuzuar për grabitje pronash dhe ndërtim të paligjshëm.

Përfaqësuesit ligjorë të banorëve shprehen se prej një viti kanë depozituar një kallëzim në SPAK, por çështja është transferuar në Prokurorinë e Shkodrës, ku, sipas tyre, hetimet kanë ngecur pa asnjë informacion konkret.

Sipas tyre, kallëzimet janë të dyfishta: një padi civile për grabitjen e pronave, e cila është ende në proces gjyqësor, dhe një kallëzim penal për ndërtim pa leje, korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe falsifikim dokumentesh, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Në qendër të akuzave është kompania “Gener 2”, e cila ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e resortit turistik. Avokatët e banorëve denoncojnë se kompania po vazhdon punimet pa leje dhe në mënyrë të dhunshme, duke përdorur forcën e policisë për të hyrë në pronat e tyre. Pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme drejtuar institucioneve si IKMT dhe IMT, asnjëra prej tyre nuk ka ndërhyrë për të verifikuar situatën në terren.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një nga përfaqësuesit e protestuesve hodhi akuza të rënda, duke deklaruar se pas këtij projekti fshihen interesa të fuqishme dhe “personazhe të fortë të botës së krimit”. Ai theksoi se statusi strategjik dhe ndërtimi i një autostrade aty pranë janë të lidhura drejtpërdrejt me lehtësimin e këtij projekti. Sipas tij, nëse kompania do të ishte pronare e ligjshme e tokës, nuk do të kishte nevojë të negocionte apo t’u ofronte “përfitime të paligjshme” banorëve për t’i bindur të largoheshin nga tokat e trashëguara prej më shumë se 100 vitesh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Protestuesit shohin SPAK-un si shpresën e tyre të fundit, por shprehen skeptikë për shkak të ritmit të ngadaltë të drejtësisë.

Denoncimi u thellua më tej me akuza për standarde të dyfishta, ku një qytetar i zakonshëm ndëshkohet për një ndërhyrje minimale, ndërsa një kantier ndërtimi prej 146 hektarësh operon, sipas tyre, pa asnjë procedurë ligjore apo tabelë informuese, e cila u vendos vetëm pas fillimit të protestave. Banorët e Baks-Rrjollit janë të vendosur të vazhdojnë betejën e tyre ligjore, duke kërkuar nga drejtësia të hetojë me themel atë që ata e cilësojnë si një skemë grabitjeje pronash me bekimin e zyrtarëve të lartë.

Avokati Ndue Pjetri deklaron: “Tani vepra penale kryesore është ndërtimi pa leje nga kompania, e cila vazhdon punimet pa leje. U është kërkuar IKMT-së, IMT-së, të gjitha institucioneve të vijnë ta verifikojnë. Ky popull ka thënë që nëse është çdo gjë në rregull, ne ikim, qysh në ditën e parë. Nuk duam të ushtrojmë dhunë, asgjë. Por as IMT-ja, as IKMT-ja nuk paraqiten për të parë dokumentacionin, të cilin ata, po themi, duhet ta vënë në dispozicion të kujtdo.

Pra, grabitja e pronave ekziston. Jemi në gjyq civil dhe kemi bërë kallëzim penal. Në këto momente, jemi në pritje të dy verdikteve që parashikon ligji. Në momentin që ata janë munduar ta marrin tokën me forma të ndryshme, ne do të ndjekim gjithmonë ligjin dhe zbatimin e tij. Tani ata kanë ardhur forcërisht, kanë hyrë brenda, në dispozicion me gjithë Policinë e Shtetit, dhe i kemi njoftuar të gjitha institucionet dhe asnjë nuk vjen. Ne çuditërisht kemi qenë aty, u themi: kush është drejtuesi i policisë këtu? Nuk denjon asnjë të identifikohet.”

Avokati vijon: “Atëherë, bëhet fjalë që është marrë një status strategjik nga një nëndegë e shoqërisë ‘Gener 2’ sh.p.k. Dhe kjo e bën tashmë mjaft të kuptueshme edhe faktin pse është bërë ajo autostradë dhe vazhdimi i saj, që është pikërisht për ta çuar në pikën kulmore ndërtimin e një resorti strategjik turistik. Duke pasur parasysh këtë, sot ka një kallëzim penal për ushtrim ndikimi të paligjshëm, për korrupsion, për falsifikim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pse i themi të gjitha këto dhe kush janë?

Çfarë frike do të kishte shoqëria, një nëndegë e ‘Gener 2’-shit, e cila del ‘nga hiçi’, të kërkojë takim me banorët, t’u ofrojë përfitime të paligjshme, tipike për veprat penale të korrupsionit? Çfarë interesi do të kishte shoqëria për t’i thirrur të gjithë banorët, për t’i qetësuar, për të negociuar me ta për shpërblimin, për marrjen e kësaj prone, nëse ishte e sigurt që asnjë prej këtyre qytetarëve nuk kishte pronë aty? Dhe është fakt i pakundërshtueshëm, fakt i pranuar, që këtyre banorëve, për më shumë se 100 vjet më parë, shteti komunist dhe madje edhe në kohën e mbretërisë, ua ka sekuestruar pronat. Ky është fakti penal, pak a shumë, që po heton edhe Prokuroria e Posaçme, e cila është kërkuar të ushtrojë ndjekjen penale.

E dyta, që është më e rëndësishme: nëse nga ato mesazhe që ne kemi parë të gjithë në opinionin publik, dhe që bëhen objekt debati në Gjykatën Kushtetuese – nëse duhet të ketë imunitet apo jo zëvendëskryeministri, nëse për autostradën është bërë ‘nderi i parë i jetës’, atëherë ky resort turistik do të jetë ‘nderi i dytë i jetës’, sipas këtyre komunikimeve dhe hamendësimeve që ne, me të drejtë, i ngremë. Pse pikërisht forca shtrënguese e shtetit? Pse pikërisht një kohë kaq e gjatë?

Apo fakti se këto prona kanë pasur dritëhije të personazheve të fortë të botës së krimit, që kanë qenë drejtpërdrejt të interesuar për atë vend? Kështu që disa gjëra duhet t’i themi, sepse nuk kam frikë. Këta njerëz vijnë sepse e shohin SPAK-un si derën e vetme të shpresës. Është pompuar kaq shumë nga ndërkombëtarët, nga opinioni, nga të gjitha llojet e trajtimeve, por kjo është çështje aktuale: nëse ne vazhdojmë të diskutojmë dhe të hetojmë gjëra që i përkasin para shtatë viteve, kur do t’i vijë radha këtyre? Kur të kenë vdekur ata që kanë vdekur para këtyre? Apo kur të jetë ndërtuar resorti dhe të mos ketë më mundësi të zhbëhen ato të drejta?

E treta, që është më e rëndësishme: si ka mundësi që sot policia, IMT-ja, IKMT-ja, për një qytetar që vendos një pllakë në tualet, i dërgojnë 20 inspektoriate, ndërsa një vend me 146 hektarë, pa asnjë procedurë ligjore, pa asnjë njoftim paraprak, pa asnjë tabelë, vetëm pasi filluan protestat, denjuan dhe vendosën tabelat për fillimin e punimeve?

Si ka mundësi që sot kemi tunele që janë vepra kombëtare, pa u zbardhur lejet e ndërtimit të tyre, ndërkohë që kjo është një nga kriteret kryesore?”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?