Bardhi: Pamjet e dhunës pasqyrë e regjimit që ka ndërtuar Edi Rama në vitin 2020
Ajo çka ndodhi sot në sheshin “Skënderbej”, për Partinë Demokratike është pasqyrë e regjimit të ndërtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një reagim ndaj dhunës të protestuesve të Shoqërisë Civile, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi thotë se ndalimi i tyre është i paligjshëm, ndërsa shprehet se sjellja ishte kriminale.
Reagimi i Gazment Bardhit
Sjellja kriminale e Edi Ramës ndaj aktivistëve të shoqërisë civile në Ditën e Europës është e papranueshme. Dhunimi dhe shoqërimi i paligjshëm i grave dhe vajzave është i paimagjinueshëm në një shtet të së drejtës. Policia e Shtetit nuk mund të urdhërohet të veprojë kurrë si një bandë kriminale.
Pamjet në Sheshin Skëndërbej janë pasqyrë e regjimit që ka ndërtuar Edi Rama në vitin 2020. Sot u bë edhe më e qartë arsyeja se përse Edi Rama kërkon mbylljen e qytetarëve në shtëpi. Qytetarëve që i është mohuar e drejta e mbështetjes ekonomike nga Qeveria në kohë epidemia, po tentohet ti mohohen edhe të drejtat minimale për të protestuar. Kjo është e papranueshme!
Të gjithë aktivistët e shoqërisë civile të shoqëruar padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin në polici, duhet të lirohen menjëherë.
E drejta e protestës paqësore është themeli i demokracisë dhe askush nuk mund të pengohet në ushtrimin e kësaj të drejte. Nëse në Ditën e Europës qytetarëve i mohohet e drejta për të protestuar paqësisht, e ardhmja europiane e Shqipërisë do të jetë shumë e largët. Procesi i integrimit europian mbi të gjitha nënkupton përqafimin e vlerave europiane në sjelljen e institucioneve dhe mbi të gjitha në qeverisje.