
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me të drejtën e qytetarëve për t’u tubuar dhe protestuar në mënyrë paqësore, duke theksuar se kjo është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta. Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të pengohet përmes gjobave, intimidimit apo përdorimit të dhunës policore.
“E drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, intimidohet apo shuhet përmes gjobave dhe as përmes dhunës policore”, deklaron Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar demokrat thekson se askush nuk qëndron mbi Kushtetutën dhe se autoriteti shtetëror nuk mund të përdoret për të penguar ushtrimin e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të penguar ushtrimin e një të drejte themelore”, shprehet ai. Bardhi paralajmëron gjithashtu se pengimi arbitrar i protestave paqësore përbën, sipas tij, vepër penale dhe kërkon përgjegjësi për këdo që cenon këtë të drejtë.
“Cilido që pengon arbitrarisht ushtrimin e të drejtës për protestë paqësore kryen vepër penale. Pengimi i ushtrimit të së drejtës për tubim dhe manifestim nuk mund të mbetet pa përgjegjësi”, përfundon Bardhi.
