Basha: 21 Qershori, referendum kundër ndarjes territoriale
Kryetari i Bashkisë Tiranë, njëherësh i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi dje nisjen e një procesi diskutimi politik për decentralizimin e pushtetit vendor. Në një takim me përfaqësues të pushtetit vendor, Basha tha se pas këtij procesi mund të rishikohet edhe harta territoriale. Koha deri në zgjedhjet lokale të 21 qershorit sipas Lulzim Bashës, është e mjaftueshme për decentralizmin të pushtetit vendor, por edhe për rishikim të hartës territoriale. Hartën e re administrative territoriale, e konsideron si një pazar politik mes Ramës dhe Metës. Prandaj tha se opozita nuk mund të ishte pjesë e kësaj sofre korruptive. Kreu demokrat tha se është në pritje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vijojë procesin për referendumet lokale kundër ndarjes së re territoriale. Duke përsëritur më pas se për opozitën, 21 qershori është referendumi ndaj kësaj harte, që nuk jep zgjidhje. Në fund të takimit u miratua dhe një rezolutë e cila vlerëson se reforma territoriale administrative nuk është bazuar në interesat legjitime të qytetarëve për përfaqësim te drejtpërdrejtë. “Riorganizimi territorial administrativ është kryer në kundërshtim me strategjinë e miratuar ekzistuese të decentralizimit. Ndarja e re administrative-territoriale përfaqëson një ndarje te papranueshme per shkak të manipulimit të hartës për interesa politike dhe elektorale të mazhorancës qeverisëse”,- thuhet në rezolutë. Sipas drejtuesve të njësive vendore të djathta njësitë e qeverisjes vendore në të gjitha nivelet ndodhen në kushtet e cenimit të rëndë të kompetencave dhe funksioneve kushtetuese dhe ligjore. “Është goditur rëndë e drejta për zhvillimin urban të territorit, e drejta për të mbledhur taksat, e drejta për administrimin e pronave të veta, e drejta për të ofruar shërbime të parashikuara në ligj si detyrim i pushtetit vendor”,- thuhet të rezolutë. Nevoja e rishikimit të hartës së re territoriale cilësohet në reolutën e drejtuesve të njësive vendore të djathta si një domosdoshmëri. “Të përshtatim hartën territoriale me transparencë maksimale, me një vizion të përbashkët per te ardhmen e pushtetit vendor, përmes një procesi gjithëpërfshirës, konsultues e transparent, bazuar në eksperiencën tonë të deritanishme, duke vlerësuar me realizëm problemet dhe dështimet, si dhe duke marrë për reference ekspertizën e huaj dhe praktikat më të mira, ne dobi të zgjerimit e konsolidimit të autonomisë vendore”,- thuhet në rezolutën e miratuar nga drejtuesit e djathtë të njësive vendore.