Basha ashpërson tonet, flet për “zuzarë e matrapazë”: Çfarë i pret pas 25 qershorit

Partia Demokratike ka hapur sot fushatën zgjedhore në Shkodër në një miting të madh, ku kreu i opozitës Lulzim Basha ka shprehur falënderime të shumta për qytetarët shkodranë që siç tha ai ishin shtylla kurrizore e Republikës së Re.

Basha tha se deri tani është bërë gjysma e punës dhe se gjysma tjetër bëhet me votën e bashkuar të shqiptarëve.

“Ndër vite e dekada Shkodra ka qenë bastion i shqiptarisë dhe lirisë. Në 90 ditë të bashkimit më të madh të shqiptarëve, Shkodra ishte shtylla kurrizore, forca e Republikës së Re. Dua t’ju falënderoj nga zemra për kurajën, sakrificën, besimin, mençurinë tuaj. Ju maratonomakët dhe njoftuesit e parë të Republikës së Re keni mirënjohjen time. Në 90 ditë e zmbrapsëm planin ogurzi të Republikës së vjetër për vjedhjen e vullnetit shqiptar. Është vetëm gjysma e punës, gjysma tjetër bëhet me votën e bashkuar të shkodranëve dhe shqiptarëve më 25 qershor. Sakrifica juaj ja vlejti”, deklaroi Basha.

Duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama për demokratët dhe marrëveshjen me PD, Basha tha se gjithçka u arrit falë vendosmërisë së qytetarëve.

“Sot anembanë Shqipërisë, zuzarët dhe matrapazët e dinë se marrëveshja u bë se e detyruat ju. T’i lërë broçkullat që demokratët qenkan të mirë dhe unë qenkam djalë i mirë se u zmbraps kur pa vendosmërinë tonë, vendosmërinë tonë për të mos u zhvilluar zgjedhje farsë. Ministrat janë garant të zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Basha duke përmendur disa prej shkarkimeve të bëra nga ministrat teknikë.

SHKARKO APP