Basha: PD po ripërtërihet, 82% e kandidatëve s’kanë qenë deputetë

Gjatë një interviste në emisionin “Top Story”, kreu  i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se listat e kandidatëve për deputetë kanë të bëjnë me ripërtëritjen e partisë dhe sipas tij lista është përshëndetur dhe pritur me entuziazëm nga të gjithë.

“82% e kandidatëve nuk kanë qenë kurrë deputetë. Nga pikëpamja e ripërtëritjes kjo është mjaft e qartë. Kemi të bëjmë me qarkullim elitash dhe kjo bëhet me largimin e politikanëve të vjetër. Kandidatët e rinj janë njerëz të spikatur në politikë, shoqërinë civile e akademike. Ndryshimi është zhvillimi, përparim. Çdo institucion, sidomos partitë  duhet të përqafojnë ndryshimin. Kjo listë përfaqëson ekipin më të mirë dhe vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare.

Mitingu në Shkodër, ishte i jashtëzakonshëm. Tani po shoh fotografinë e Jozefina Topallit. Jam shumë i entuziazmuar nga pjesëmarrja dhe nga forca dhe vendosmëria e Shkodranëve për të qëndruar të bashkuar”, tha Basha.

Në lidhje me lënien në listë të ish-kryeministrit Sali Berisha që bie ndesh me vendimin e Bashës për ripërtërimin e Partisë Demokratike, ai tha se e ka lënë në listë, për shkak të kontributit që ka dhënë.

“Sali Berisha vjen aty si një kandidat për deputet. Çfarëdo sistemi që të kisha zgjedhur unë, ai do të ishte aty në listë. Ai ka dhen kaq shumë për demokracinë, ekonominë, arsimin, shkollat, shëndetësinë. Në këtë kuptim, me gjithçka që ai përfaqëson, ai ka një vend në Partinë Demokratike. Ky ka qenë vetëm vendimi im”, argumentoi shefi i opozitës.

SHKARKO APP