Basha: Rama nuk mund të mbajë më pushtetin me banditë me uniformë
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguat për dhunën e policisë ditën e sotme ndaj banorëve të Bregu i Lumit. Në një postim në Facebook, ai akuzon kreun e qeverisë për dhënien e urdhërove të jashtëligjshëm që lejojnë ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve.
Basha thotë se Edi Rama do të mbajë përgjegjësi personale për atë që ndodhi sot në zonën e Bregut të Lumit.
Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:
Dhunuesit që shqiptarët panë sot duke rrahur një grua të dëbuar me forcë nga shtëpia e saj, dhe duke goditur përfaqësuesit e opozitës në mbështetje të banorëve te dëbuar janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës.
Dhunuesi i zonjës tek Bregu i Lumit është shefi i komisariatit 4, Agim Hoxha, një bandit me uniformë, që ka dhunuar më parë edhe qytetarët dhe përfaqesueset gra të opozitës.
Dhunuesi tjetër është fytyra e Erion Velisë në Policinë Bashkiake, që ka rrahur dhe dhunuar më parë eshe gjyshet që shesin prodhimet e bahçes për të mbajtur frymën gjallë si dhe shumë qytetarë të pambrojtur.
Edi Rama nuk mund ta mbajë më pushtetin e tij të paligjshëm veçse duke përdorur dhunën: dhunë kundër qytetarëve, dhunë kundër gazetarëve, dhunë kundër kundërshtarëve politikë, dhunë kundër Kushtetutës. Dhunë ndaj kujtdo që i tregon ligjin Edi Ramës, qoftë ky artist që mbron teatrin, qytetar që mbron shtëpinë apo opozitar që mbron të drejtat e qytetarëve.
Thirrja ime për çdo shqiptar është të qëndrojmë në këmbë! Të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur për t’i dhënë fund dhunimit të Shqipërisë nga një grup banditësh me pushtet të vjedhur e të blerë me krimin.
Së bashku do të bëjmë të mundur që dhunuesit e shqiptarëve, nga Edi Rama deri tek banditët me uniformë, të japin llogari para ligjit për çdo padrejtësi!
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/326243498079548/