“Bashkimi ishte mekanik”, Keltis Kruja: Duhet një strategji e qartë që PD t’i flasë publikun me koherencë
Keltis Kruja, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike thotë se bashkimi pas krizës së brendshme ka qenë “mekanik” dhe i larguar nga idealet fillestare të Kuvendit të 11 dhjetorit. Për të energjitë e shpenzuara për të krijuar unitet brenda partisë e deformuan idenë e parë të bashkimit, i cili sipas tij duhej të ishte “më i ndjerë, më i thellë dhe më gjithëpërfshirës”.
Ai u shpreh se kriza trevjeçare në PD ka konsumuar energjinë e brendshme të partisë dhe ka vonuar përgatitjen përballë mazhorancës, e cila sipas tij, i përdor të gjitha instrumentet shtetërore në fushata. Kruja pranoi se PD ende nuk ka arritur të rikthejë frymën e protestave masive dhe fajësoi mungesën e një strategjie të qartë komunikimi. Ai kritikoi edhe formatin aktual të “foltoreve” pranë Kryeministrisë, duke thënë se nuk janë protesta të mirëfillta dhe se vendimmarrja për veprim politik kërkon kohë dhe mobilizim më të madh.
Sipas tij, partia duhet të jetë “më e vërtetë me veten dhe me shoqërinë”, duke analizuar realisht gatishmërinë për të organizuar protesta të fuqishme, sidomos pas skandaleve të fundit në qeveri. Ai shtoi se diskutimet e brendshme të PD duhet të mbeten brenda strukturave dhe se debatet e brendshme duhet të prodhojnë reflektim, jo protagonizëm në media. Kruja theksoi se sfida kryesore e PD sot është ndërtimi i një gjuhe të unifikuar dhe një strategjie të qartë që t’i flasë publikun me koherencë, pasi sipas tij “po i flasim njerëzve me disa gjuhë dhe disa shpejtësi të ndryshme”, duke shkaktuar konfuzion te elektorati opozitar.
KOHA JONË SONDAZH

