BB: 32% e shqiptarëve rrezikohen nga skamja

 

Numri i personave që jetojnë në varfëri ekstreme u rrit me tre herë brenda periudhës 2008­-2012. Përfundimi, i cili tregon efektin dramatik që kriza ka patur mbi të varfërit, del nga shifrat e sapopërditësuara të Bankës Botërore. Sipas standardit ndërkombëtar, Banka klasifikon si individë në varfëri ekstreme ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë, të shprehura sipas standardit të fuqisë blerëse.

Sipas shifrave në vitin 2008, në Shqipëri jetonin vetëm 10 mijë e 900 persona nën këtë nivel të ardhurash, por në fund të vitit 2012, pas katër vitesh me rritje të dobët ekonomike, shifra e personave në skamje ekstreme kërceu në 30 mijë e 900 vetë duke zënë 1.06% të popullsisë së përgjithshme.

Ndonëse në pamje të parë, shifra 1.06% e varfërisë ekstreme duket e ulët, ajo fsheh një tjetër kërcënim. Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e individëve në Shqipëri i kanë të ardhurat fare pak mbi kuotën 1.9 dollarë në ditë, çka i bën ata gjithmonë të rrezikuar për të rënë nën nivelin e varfërisë ekstreme. Sipas Bankës, Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme ndër ekonomitë e ngjashme në rajon, pasi një pjesë shumë e madhe e familjeve i kanë të ardhurat shumë më të ulëta sesa ato të vendeve të tjera.

Më konkretisht, sipas shifrave të bankës, aktualisht në Shqipëri mbi 32.1% e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë. Në vendet e tjera fqinje, popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë varion nga 2% në Bosnje deri në 23.86% në Maqedoni. Të dhënat e Bankës konfirmojnë edhe një herë se pas vitit 2008 progresi i Shqipërisë në luftën ndaj skamjes ka ngecur, e madje disa tregues janë përkeqësuar.

Disa ekspertë ngrenë shqetësimin se niveli i varfërisë mund të jetë rritur edhe pas vitit 2012, për shkak të ngadalësimit të mëtejshëm të ekonomisë në 2013­ën, por edhe masave shtrënguese të ndërmarra më vonë, jo vetëm në rrafshin fiskal, por edhe tregun energjetik.

SHKARKO APP