BB: Jo më abuzime me energjinë, fasha 300 kilovatë të hiqet
Nuk duhen lejuar më vjedhjet. Kjo shumë prej 150 milionë dollarësh do ta ndihmojë qeverinë dhe do rrisë besimin që ky sektor të jetë çelësi i zhvillimit dhe jo i humbjeve. Kjo do i vendoste në një ambient të favorshëm dhe lejimin e investimeve, dhe zhvillimin e biznesit në vend”. Kështu u shpreh djedrejtoresha për Europën Juglindore në Bankën Botërore, Elen Goldstein, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me palën shqiptare për financimin me 150 milionë dollarë të sektorit energjetik. Duke mbështetur kështu edhe masën e marrë nga qeveria për çmimin e ri të energjisë elektrike. Teksa sakaq bëhet me dije se rreth 60% e kredisë së marrë nga institucioni i njohur financiar ndërkombëtar, do të investohet në sistemin e shpërndarjes, që sipas qeverisë shqiptare është edhe pjesa më e dëmtuar e sektorit për shkak të mungesës së investimeve prej shumë vitesh. Ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për Koorporatën Elektro-Energjetike Shqiptare dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Ndërkaq, nga ana e tij, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se këto investime synojnë pikërisht shëndoshjen e sektorit, liberalizimin e tregut dhe kthimin e sistemit energjetik në një sektor fitimprurës për ekonominë shqiptare. “Me implementimin e suksesshëm të projektit, synojme të ulim humbjet totale në rrjet nga 40% mesatarja sot, në 17% në vitin 2019; të rrisim nivelin e arkëtimeve nga 84% që është sot, në të paktën 93% në vitin 2019. Synojmë ta kthejmë sektorin energjetik, nga një sektor i zhytur në borxhe sot, ku pa këto ndërhyrje vetëm Operatori i Shpërndarjes në vitin 2018 do të akumulonte 800 milionë dollarë borxhe nga 540 milionë dollarë që i ka sot, në një sektor financiarisht të qëndrueshëm duke filluar nga viti 2018”, tha ai. Nga ana e saj, qeveria thotë se në sinkron me kredinë e Bankës Botërore do të bashkëfinancojë edhe mbi 125 milionë dollarë të tjera për sistemin energjetik deri në 2020-ën.
Si do shpërndahet kredia?
– Sistemi i Shpërndarjes 93 milionë dollarë
– Sistemi i Transmetimit 20 milionë dollarë
– Mbështjetje për Importin 30 milionë dollarë
– Mbështetje për Reforma 7 milionë dollarë
TOTALI 150 milionë dollarë
Kryeministri
Rama: Reforma mbi
energjinë, është jetike
Reforma mbi energjinë është reformë jetike dhe mungesa në të ka bërë që Shqipëria të mos e lërë në kohë tranzicionin. Kështu është shprehur dje kryeministri Edi Rama, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Bankën Botërore për 150 milionë dollarë financim në sektorin energjetik dhe në tërësi për reformën e këtij sektori. E cila sipas tij, nuk do të lejohet të vazhdojë më gjatë. “Shqipëria nuk e ka luksin të paguajë për hajdutët e energjisë ndaj do dënojmë më tepër auzuesit. Për sa i përket heqjes së fashës, debati ka qenë intensiv. Kemi dialoguar me BB-në për të kuptuar efektet e të dyja alternativave. Ndaj, do të hiqet fasha që mos rritet në mënyrë uniformë energjia. Kjo do mjaftojë në rast se do u jepet fund vjedhjeve dhe do implementohet paketa e mbështetjes financiare nga BB-ja. Objekti mbetet që në pesë vjet, të kthehet energjia në sektor fitimprurës dhe burim real rritjeje ekonomike, transformimi dhe punësimi”, deklaroi Rama.
RAPORTI
Kriza detyroi shqiptarët të konsumojnë më pak
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është rritur vazhdimisht. Gjatë dekadës nga viti 2002 deri më 2012, është rritur me 57% në terma reale. Por PBB-ja është një gjë dhe konsumi i popullatës është një gjë tjetër. Sipas Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës të kryer nga Instituti i Statistikave, mes viteve 2002 dhe 2012, konsumi për frymë i popullatës është rritur me vetëm 15%. Por gjatë periudhës së krizës, pra gjatë viteve 2008 dhe 2012, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 10.8%, ndërsa konsumi i popullatës për frymë jo vetëm që është rritur, por ka rënë me 8.1%. Vrojtimi i Standardeve të Nivelit të Jetesës kryhet një herë në disa vjet në Shqipëri nga Instituti i Statistikave. Rreth 5 mijë familjeve të shpërndara në të gjithë Shqipërinë u kërkohet të plotësojnë një libër me shpenzimet e tyre ditore për një periudhë të gjatë me synimin për të krijuar një panoramë të gjendjes ekonomike të familjeve shqiptar si dhe për të matur pabarazinë. Rënia e konsumit gjatë viteve të krizës 2008-2012 i ka detyruar shqiptarët jo vetëm që të konsumojnë më pak, por edhe t’i kufizojnë shpenzimet në konsum ushqimor ndërsa konsumi joushqimor ka pësuar rënie edhe më të madhe. Përgjatë të gjithë dekadës së fundit, PBB ka pësuar rritje të fuqishme, por konsumi i popullsisë ka pësuar rritje shumë më të vogël ndërsa për vitet e krizës ekonomike dhe financiare botërore, konsumi ka pësuar rënie të konsiderueshme. Rënien më të madhe të konsumit e ka shënuar kryeqyteti, Tiranë, ndërsa zonat malore, shfaqin vijimin e rritjes së konsumit për frymë.