BB për Shqipërinë: Rritja ekonomike u mbështet nga investimet
Banka Botërore prezantoi sot Raportin e Rregullit Ekonomik për Europën Juglindore. Raporti fokusohet në performancën dhe perspektivën ekonomike në vendet e Europës Juglindore dhe faktorët që ndikojnë në parashikimet për rritjen ekonomike.
Prezantimi për Shqipërinë dhe diskutimet për raportin u zhvilluan në Zyrën e Bankës Botërore në Tiranë, ku ishte e pranishme drejtoresha e BB-së për Shqipërinë, Tahseen Sayed.
Gjatë prezantimit Sayed tha se ekonomia shqiptare u rrit me 2.6% në 2015, e mbështetur nga investimet e fuqishme private.
“Ritmi i rritjes pritet të vazhdojë të rritet gradualisht në 3.2 % në 2016 dhe 3.5 % në 2017. Investimet për Gazsjellësin Trans-Adriatik dhe një hidrocentral në Shqipërinë e Jugut do të ndikojnë në rritjen e kërkesës së brendshme. Ndërsa konsolidimi fiskal vijon rrugën e tij, shpenzimet qeveritare priten të reduktohen. Borxhi publik pritet të ulet në 2016, si rezultat i masave fiskale të aprovuara në ligjin e buxhetit për 2016”, – tha ajo duke cituar raportin e BB-së.
Ndërsa ekonomistja për Shqipërinë, Ilda Shijaku vuri në dukje se investimet kanë ndihmuar në rritjen e punësimit me 1.9%. Ndërsa eksportet mbeten faktor kryesor në rritjen ekonomike te vendit.
SIpas saj, sektorët e bujqësi, turizëm jane fusha me potencial ende të pashfrytëzuar përsa i përket kapaciteteve në rritjen e punësimit, eksporteve, që do të mbështesnin rritjen ekonomike në të ardhmen.
Duke u ndalur në politikën e Bankës Qendrore, Shijaku theksoi se politika monetare dhe fiskale po ecin brenda kuadrit të parashikuar, ndërsa kërkohen ide dhe projekte të reja për qarkullimin e likujditetit të bollshem që kanë bankat, për kreditim.
Duke folur për skandalin “Panama Papers”, drejtorja e BB-së Sayed tha se, ky është një fenomen global, të cilin do ta adresojnë së bashku me FMN në mbledhjen e pranverës në Washington. Sa i përket ekonomisë në Shqipëri, ajo tha se duhet një mjedis i përshtatshëm për biznesin.
Raporti i Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore del dy herë në vit nga stafi i ekonomistëve në Praktikën Globale për Makroekonomi dhe Menaxhim Fiskal të rajonit, Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore. Raporti i fundit i BB mbi ekonominë në Europën Juglindore, që u prezantua në janar 2015, vlerësoi se ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të zgjerohet gjatë gjysmës së parë të 2015, si rezultat i investimeve të brendshme të mëdha.