BB: Përmirësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri
Ky fakt citohet në raportin më të fundit të Bankës së Botërore “Të bësh biznes 2015”, sipas të cilit, hapja e biznesit, procedura e lejeve të ndërtimit dhe regjistrimi i pronave në vendin tonë, kanë njohur një përmirësim të dukshëm kohët e fundit. Janë pikërisht këto tre aspekte të rëndësishme të të bërit biznes që janë vlerësuar pozitivisht nga ekspertët e institucionit të njohur ndërkombëtar financiar dhe që flasin në këtë mënyrë për përmirësim të vetë klimës së biznesit. “Shqipëria ka bërë progres në reformat rregullatore të biznesit duke u ngjitur në vendin e 68-të, ose me 40 vende më lart krahasuar me një vit më parë”, citohet konkretisht në këtë raport. Duke detajuar se Shqipëria ka kryer përmirësime në tri fusha të reformës rregullatore. “Hapja e biznesit është bërë më të lehtë përmes uljes së tarifave të regjistrimit. Ka lehtësuar procedurën e lejeve të ndërtimit, përmes rifillimit të lëshimit të lejeve të ndërtimit dhe përmes konsolidimit të lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit në një leje të vetme zhvillimore ndërtimi. Gjithashtu, Shqipëria e ka bërë më të lehtë kalimin e pronës, përmes vendosjes së afateve të efektshme dhe kompjuterizimit të kartelave të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, Shqipëria e ka dobësuar sistemin e transaksioneve të mbuluara me garanci, përmes një ndryshimi të Ligjit për Barrët Siguruese, i cili nuk lejon vendosjen e barrës siguruese mbi aktivet e patrupëzuara. Gjithashtu, Shqipëria e ka bërë më të kushtueshëm pagimin e tatim-taksave nga shoqëritë tregtare, përmes rritjes së shkallës së tatimit mbi fitimin”, citohet në raportin në fjalë. Për të shtuar më tej se largësia nga vlerësimi me pikë kufi në “Të bësh biznes 2015” është 66.1, duke shënuar përmirësim me 6.3 pikë krahasuar me 59.8 në “Të bësh biznes 2014”. Sakaq, në tërësinë e tij, raport i ri i grupit të Bankës Botërore konstaton se 85% e ekonomive në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë zbatuar të paktën një reformë rregullatore me synim që t’ua bëjnë më të lehtë biznesmenëve vendas të ushtrojnë aktivitet biznesi, në vitin 2013/14. Kjo është përqindja më e lartë se për çdo rajon tjetër. “Të bësh biznes 2015: të shkosh përtej efikasitetit” tregon se vitin që shkoi, ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore e përmirësuan edhe më tej mjedisin rregullator për biznesmenët vendas, duke i çuar kështu më tej përparimet e dekadë së fundit. Për shembull, përpara 10 vjetësh për hapjen e një biznesi një biznesmeni maqedonas i duheshin 48 ditë. Sot, kjo gjë mund të kryhet brenda 2 ditësh”, përfundon raporti në fjalë