BE konfirmon mbështetjen për sundimin e ligjit, Gonzato: Gjykata Kushtetuese partner qendror për Integrimin
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato është takuar me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, në një takim ku u theksua rolin kyç i këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Gonzato tha se Gjykata Kushtetuese ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit institucional, duke ruajtur cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.
“Pata kënaqësinë të uroj Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe të rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.Gjykata ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, ndërkohë që vijon të ruajë cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend”,-tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato shtoi se BE-ja do ta përfshijë Gjykatën Kushtetuese si përfituese në projektet e ardhshme të Bllokut. “I konfirmova Kryetares Papajorgji se planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së. Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin evropian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces”.
KOHA JONË SONDAZH

