Begaj flet me ushtarët që shërbejnë jashtë: Krenar për ju
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura Shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë të angazhuar në misione jashtë vendit për festat, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.
“Është kënaqësi e veçantë për mua të jemi së bashku në këto momente për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar nga zemra gëzuar festat! Uroj që viti që vjen të jetë i mbarë dhe i begatë jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja! Atmosfera festive dhe e gëzuar kërkon të jemi së bashku. Juve ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision të rëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarë globin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj!”, tha Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

