Begaj nga Gjirokastra: Gjuha shqipe është themeli i identitetit tonë, duhet ta mbrojmë me përkushtim
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Gjirokastër, ku mori pjesë në takimin mbarëkombëtar për gjuhën shqipe, të organizuar nga Shoqata Atdhetare Labëria – Nder i Kombit në bashkëpunim me Universitetin “Eqerem Çabej”, në kuadër të aktiviteteve të nëntorit.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se gjuha shqipe është identiteti, shpirti dhe themeli i kombit shqiptar, duke nënvizuar domosdoshmërinë e ruajtjes, mbrojtjes dhe pasurimit të saj.
“Gjuha shqipe është shpirti dhe ashti i kombit. Ne duhet të jemi kujdestarët e vetëdijshëm të gjuhës sonë, ta mbrojmë me përkushtim dhe ta përshtatim me kohën”, u shpreh Begaj.
Presidenti rikujtoi rolin historik të Kongresit të Manastirit për unifikimin e alfabetit shqip, duke e cilësuar një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare, që hapi rrugën drejt pavarësisë dhe bashkimit shpirtëror të shqiptarëve.
Begaj vlerësoi kontributin e figurave të shquara gjirokastrite si Eqerem Çabej dhe Ismail Kadare, duke kujtuar fjalët e Kadaresë: “Gjuha është atdheu”.
Kreu i Shtetit bëri thirrje për një strategji të re dhe të qëndrueshme për mësimin e shqipes tek fëmijët që jetojnë jashtë vendit, duke e cilësuar Diasporën një pasuri kombëtare.
“Mësuesit, prindërit dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit janë ambasadorët e gjuhës sonë. Ata meritojnë mirënjohjen e përjetshme të kombit dhe mbështetje më të madhe institucionale.”
Në mbyllje të vizitës, Begaj falënderoi organizatorët dhe Universitetin “Eqerem Çabej” për rolin e tyre në promovimin e kulturës dhe gjuhës, duke nënvizuar se ruajtja e shqipes është ruajtja e vetë atdheut.
Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, Presidenti vizitoi gjithashtu Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë, Obeliskun e Arsimit dhe kalanë e qytetit, i shoqëruar nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe autoritetet vendore.
KOHA JONË SONDAZH

