Belgjika dhe Danimarka do të hapin ambasada në Tiranë, Spiropali: Pasqyrë e progresi drejt BE-së
Belgjika dhe Danimarka pritet të forcojnë praninë e tyre diplomatike në Shqipëri, pasi të dyja vendet kanë vendosur të hapin ambasadat respektive në Tiranë. Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila e cilësoi këtë hap si një sinjal të rëndësishëm mbështetjeje për procesin e integrimit evropian të vendit.
Në një deklaratë publike, Spiropali shprehu mirënjohjen ndaj Ministrit të Jashtëm belg Maxime Prévot dhe Ministrit të Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen, duke theksuar se vendimi i tyre vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë.
“Mirënjohje e sinqertë për Ministrin e Jashtëm belg Maxime Prévot dhe Ministrin e Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen mbi vendimet e rëndësishme për hapjen e Ambasadave respektive në Tiranë. Këto hapa ndërmerren në një moment kyç për Shqipërinë dhe pasqyrojnë progresin e qëndrueshëm dhe të shpejtë të integrimit tonë në BE.
E vlerësojmë besimin e këtyre vendeve mike në reformat e Shqipërisë, stabilitetin dhe kontributin tonë në sigurinë rajonale, si dhe mirëpresim thellimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në kuadër të NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare, duke çuar përpara angazhimin tonë të përbashkët për një Europë më të fortë dhe më të sigurt”, tha Spiropali.
KOHA JONË SONDAZH

