Beli Cafi: Standarde bashkëkohore për estetistët
Mblidhet Këshilli Drejtues i Shoqatës Kombëtare “Bukuria Shqiptare”
Këshilli Drejtues i Shoqatës Kombëtare “Bukuria Shqiptare”, i krijuar në vitin 1997, zhvilloi ditën e enjte një takim për rritjen e standardeve bashkëkohore për estetistët dhe parukierët shqiptarë.
Në këtë takim mori pjesë edhe zv/kryetarja e Bashkisë Brunilda Paskali, e cila është ofruar gjithmonë e gatshme për të ndihmuar gratë në biznes. Presidentja e shoqatës, Beli Cafi u shpreh se, takimi ka “si qëllim të drejtat dhe detyrat e të gjithë parukierëve dhe estetistëve në Shqipëri, të cilët më shumë se asnjëherë tjetër do të jenë me një status do jenë në standardet e vendeve të botës”.
Një tjetër qëllim i këtij organizimi është edhe rritja profesionale me anë të kurseve, trajnimeve, seminareve brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, ky organizim synon konkurrencë të ndershme, cilësinë e lartë të produkteve kozmetike, certifikim dhe gjithçka që i nevojitet komunitetit, por me standarde bashkëkohore.
Këshilli Drejtues i Shoqatës Kombëtare “Bukuria Shqiptare”, synon të anëtarësojë të gjitha gratë dhe vajzat që aspirojnë këtë profesion, si edhe personat e tjerë që kanë interes për të marrë informacionin e duhur në lidhje me artin e bukurisë.