Benzina në Shqipëri ndër 5 më të shtrenjtat në botë
Një hartë interaktive e “Bloomberg” krahason çmimet e benzinës në vendet kryesore të botës, në raport me fuqinë blerëse. Krahas renditjes në vlerë absolute, “Bloomberg” jep dhe krahasimin sipas një treguesi tjetër, atë të përballueshmërisë në bazë të përqindjes së pagës ditore që duhet për një litër karburant. Në renditje janë përfshirë gjithsej 62 vende.
Ndonëse Norvegjia, p.sh, ka çmimet më të shtrenjta në botë të naftës në vlerë absolute (2.45 USD/litër), qytetarët e saj mund ta përballojnë fare mirë, pasi u duhen vetëm 0.99% të të ardhurave ditore për të furnizuar makinën me një karburant, duke u renditur në vendin e 52-të në këtë tregues. Turqia vlerësohet si një nga vendet më të shtrenjta, teksa me të ardhura ditore prej 29 dollarësh, duhen 7.7% e tyre për të blerë një litër karburant.
Taksa e karburanteve e Turqisë është ndër më të lartat në botë, teksa vendi është i orientuar drejt qymyrit. Italia është gjithashtu një vend i shtrenjtë (i katërti më i shtrenjtë në botë) sipas çmimeve të naftës në vlerë absolute. Por, me të ardhura ditore prej 97 dollarësh, italianëve u duhen 2.2% të të ardhurave për të blerë një litër karburant, sipas “Bloomberg”.
Vendi, ku qytetarëve u kushton më shtrenjtë të blejnë një litër naftë, është Pakistani, teksa duhen 23.9% e të ardhurave ditore, për një litër karburant, ndonëse çmimi për litër është 1.04 USD. I dyti është India, me 25.6% të të ardhurave.
Shqipëria dhe shumë shtete të rajonit mungojnë, por të dhënat për vendin tonë janë llogaritur nga “Monitor”, në bazë të metodologjisë së “Bloomberg”. Rezulton se një qytetar shqiptar duhet të shpenzojë mesatarisht 10-11% të të ardhurave ditore për një litër naftë, afër renditjes së katër më të shtrenjtave në botë, Pakistani, India, Filipinet, Venezuela. (Llogaritja është bërë duke marrë parasysh një pagë mesatare mujore në vend prej 40 mijë lekësh ose 325 dollarë, me një kurs 1 dollar=123 lekë dhe një pagë mesatare ditore prej 15.6 dollarë e llogaritur për 21 ditë pune).
Mapo