Berisha: 22 dhjetori nisja e betejës për përmbysjen e Ramës, ky mision është shansi i jetës
Sali Berisha ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së sotme në Tiranë, të cilën e ka cilësuar si nisjen e betejës për përmbysjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Nga selia blu ai u shpreh se protestuesit duhet të dalin në shesh për të nisur atë që ai e përkufizoi si një mision historik për vendin. ”Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës. Të vijnë në Tiranë”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi protestën si një mundësi vendimtare për qytetarët, duke e krahasuar situatën në Shqipëri me lëvizje të ngjashme në vende të tjera. ”Ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera”, tha ai.
Në një tjetër deklaratë, Berisha u bëri thirrje të gjitha forcave politike opozitare që të bashkohen në protestë, pavarësisht dallimeve mes tyre. “Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori”, u shpreh ai.
Berisha shprehu bindjen se protesta do të shënojë një kthesë të rëndësishme politike. “Kam besim të madh se Tirana po zien, se Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe, kthesën drejt fitores të çdo qytetari për dinjitetin, familjen, të ardhmen dhe kombin e tij”, deklaroi ish-kryeministri.
KOHA JONË SONDAZH

