Berisha: Beqiraj dhe Agasi nuk u kërkuan ndërkombëtarisht, fluturuan mbi hapësirën e NATO-s dhe BE-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas arrestimit në Francë të Ermal Beqiraj, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dëshmi të rrezikut që sipas tij paraqet krimi i organizuar shqiptar për rajonin dhe Europën. Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se autoritetet nuk kanë vepruar në kohë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, edhe pse, sipas tij, urdhër-arrestet ndaj tyre ishin lëshuar më herët.
“Ergys Agasi për muaj të tërë nuk u shpall në kërkim dhe këtu para jush, me 24 prill të vitit 2026, kam denoncuar se Agasi dhe Beqiri nuk janë në kërkim ndërkombëtar. E vërteta është se në muajin prill, Agasi ka blerë dy avionë personalë në Austri. Blerja e të cilëve kërkon autorizime të disa institucioneve të Austrisë, vend me një shtet ligjor ndër më të konsoliduarit. Jo vetëm që ka blerë avionët në Austri, por ai në qershor ka regjistruar në Slloveni, njërin nga këta avionë dhe biznesin e tij. Ndërkohë gjatë këtyre muajve, janë të vërtetuara një seri fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe vendeve të BE”, tha Berisha.
Ai shtoi se denoncimet e tij lidhen me faktin që, sipas tij, edhe disa muaj pas lëshimit të urdhër-arresteve, dy personat nuk rezultonin në kërkim ndërkombëtar. “Pra, me 24 prill ne denoncuam këtu se Agasi dhe Ermal Beqirin nuk janë në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që urdhër-arresti për ta ishte i datës 25 dhjetor 2025. Edhe katër muaj më vonë, këta nuk ishin. Agasi është i qetë, drejton të gjitha aktivitetet e tij herë nga Durrësi, herë nga Surreli, herë nga Manza, ku t’i dojë qejfi. Kurse Beqiri ndërmori veprimtaritë e tij në disa vende anëtare të BE siç janë Austria, Sllovenia dhe Franca”, u shpreh Berisha.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Ju folët për arrestimin e zotit Ermal Beqiri në Francë. Ndërkohë, ai u arrestua rreth ditës së shtunë dhe lajmi doli të martën nga një media franceze. Përse u mbajt i fshehur arrestimi i tij nga autoritetet shqiptare, duke qenë se ai ishte arrestuar të shtunën? Keni një koment në lidhje me këtë veprim të Policisë së Shtetit, duke qenë se në raste të tjera të paktën ka një lajmërim në një kohë më të afërt, pasi bëhen dhe procedurat e konfirmimit të personit mes dy vendeve?
Së pari, nuk ka dyshim që Ermal Beqiri u mbrojt, se në shumë e shumë raste ka qenë prestanome i Armand Frangut, emër që sapo ta shqiptoj do të kujtojë të Edi Ramës, kunatit të Linda Ramës, baxhanakut të Edi Ramës. Për Ermal Beqirin janë një seri vendimesh qeveritare. Mos harroni dhuratën, e cila u krijua e tëra në funksion në pamje të lehtësimit fiskal të kompanive të teknologjisë së lartë. Në të vërtetë, për një zhvatje të turpshme të tyre nga klubi i Ermal Beqirit. Lexoni vendimin, se si ata që paguanin një shumë marramendëse, fitonin platinin në klubin e një banditi e një krimineli. Kjo ishte arsyeja.
Këto ditë kanë qarkulluar foto të Presidentit Macron me Ermal Beqirin. Të jeni të sigurt se atë ia ka servirur Edi Rama, se kurrë Presidenti i Francës nuk mund të kishte dhe nuk mund të kishte një foto me një eksponent si ky. Dhe unë edhe njëherë falënderoj autoritetet franceze që e arrestuan atë. Është mister fshehja e lajmit nga autoritetet shqiptare gjersa e dhanë mediat franceze. Edhe në këtë rast do të thotë që Edi Rama përpiqej të fitonte kohë për lirimin e tij.
Sikundër kishte bllokuar për muaj të tërë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, të blesh avion dhe të regjistrosh avion në Austri në prill dhe në qershor do të thotë që agjencitë e këtyre vendeve nuk kanë pasur asnjë njoftim që kanë dhënë certifikatat për mjetet e blera dhe përdorimin e tyre.
Duke u ndalur tek deklarata e djeshme e zotit Bardhi, i cili tha ‘do të çojmë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e SHBA-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen’. Ndërkohë sot ministri i Mbrojtjes e cilësoi qëndrimin e Partisë Demokratike si të papranueshëm dhe tha se procedura nuk është antikushtetuese.
Dua të sqaroj opinionin. Opozita në Shqipëri është në një dhunim konstant të të drejtave të saj kushtetuese. Dhe kjo është e njohur tashmë ndërkombëtarisht. Kjo është e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare. Edhe njëherë dua të qartësoj, absolutisht nuk kemi asnjë kundërshtim për marrëveshjen. E mbështesim plotësisht. Mbështesim plotësisht kërkesën e Presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve për çështjet e sigurisë. Koha i dha atij 100% të drejtë. Partia Demokratike qëndron si forcë politike që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, qëndron prapa çdo përpjekje për të mbushur detyrimet tona ndaj NATO-s.
Por Edi Rama kërkonte ta përdorte këtë marrëveshje për dhunimin e të drejtave kushtetuese, për dhunimin e radhës të së drejtës kushtetuese të opozitës. I pafytyrë, i pamoral, primitiv dhe delinkuent siç është, ndonëse kryetari i Parlamentit ra dakord me propozimin tonë për respektimin e Kushtetutës, pra për votimin në afatin kushtetues që ishte dita e premte, ai urdhëroi, ai urdhëroi me çdo kusht votimin pa u lexuar, në kundërshtim me afatin kushtetues.
Duke besuar se në këtë mënyrë do fitojë pikë dhe më shumë, do blejë influencë politike për veten e tij dhe për të sulmuar opozitën. Opozita, edhe njëherë, në çdo kohë e mbështet marrëveshjen, mbështet synimin e marrëveshjes, termat e saj. Por opozita nuk mund të pranojë që kjo të ndodhë duke shkelur ajo mbi të drejtat kushtetuese të veta. Kjo e bën bashkëfajtore opozitën në dhunimin e Kushtetutës. Dhunim i evidentuar. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ka një përcaktim kushtetues.
Nuk është hedhur marrëveshja në gjykatë, absolutisht. Është hedhur procedura jokushtetuese e përdorur për miratimin e saj. Po marrëveshjen, në termat kushtetues ne e votojmë në çdo kohë.
Meqenëse SPAK ka shtyrë afatin e hetimeve për çështjen Balluku, sikundër ka pasur dhe kontrolle. A mendoni se do të ishte një hetim i plotë nëse SPAK do të kërkonte heqjen e imunitetit të saj në Kuvend?
Anisa, nuk e di sa është e vërtetë, por qytetari dixhital më njofton se kanë filluar ndërtimin e një mini-materniteti në SPAK. Kur të shkoj herën e fundit do të bëj inspektimin dhe ta verifikoj a është e vërtetë, pastaj do t’i përgjigjem pyetjes tuaj.
KOHA JONË SONDAZH

