Berisha: Dje regjimi u trondit nga themelet, qytetarët u bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot një konferencë se protesta e mbrëmshme e PD-së ishte protesta e ndërgjegjes.
Berisha theksoi se protestuesit, pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, dolën në rrugë për më shumë se tre orë, duke shprehur revoltën e tyre kundër qeverisjes aktuale.
“Dje për tre orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj. Në një protestë të fuqishme qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë”, tha Berisha.
Kreu i PD shprehu nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur.
Berisha theksoi se, protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese.
“Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike”, tha Berisha.
Kreu i PD u shpreh se, dje protestuesit ishin vetë ndërgjegja e kombit në betejë.
“Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar”, theksoi Berisha.
“Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste. Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

