Berisha: Do t’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi sot nga Manza e Durrësit se opozita do t’i rikthehet sheshit çdo natë deri në largimin e qeverisë.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen në janar për një betejë politike deri në fitore, duke e cilësuar vitin 2026 si moment vendimtar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “diktaturë e dytë” dhe për shpëtimin e Shqipërisë.
“Jemi forcë demokratike, jemi opozitë demokratike. Ne do përdorim çdo mënyrë demokratike, jo të dhunshme për përzënien e tyre. Nuk rezistojnë dot ata.
“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

