Berisha nuk është budalla…
Nga Eduard Zaloshnja
Në çerek shekullin e fundit, Sali Berishën e kanë anatemuar qindra mijra shqiptarë e mijra të huaj. Sidoqoftë, asnjëri deri më sot nuk e ka quajtur budalla. Dhe ai vazhdon të mos jetë budalla, pavarsisht se mund të jetë çdo gjë tjetër…
Në daljen e fundit tek “Zona e Lirë” e Çanit (shih foton), Berisha e tregoi edhe një herë se nuk është budalla, duke thënë se një koalicion i PD-së (nënkupto i tij) me LSI-në është i mundshëm pas zgjedhjeve të ardhshme, por jo para tyre. Dhe kjo gjë, sipas tij, do të përcaktohet pasi të shpallen rezultatet e zgjedhjeve.
E përkthyer në një shqipe të thjeshtë, Berisha u ka thënë votueve të tij se PD-ja dhe aleatët e saj aktualë nuk janë në gjendje të fitojnë shumicën në zgjedhjet e ardhshme – prandaj do t’u duhet të bëjnë një koalicion të detyrueshëm me LSI-në pas zgjedhjeve, në qoftë se ajo futet në to veçmas PS-së.
Ndërkohë që votuesit e djathtë ëndërrojnë për një fitore të pastër ndaj partive të majta – PS, LSI, etj. – Berisha, si ujk i vjetër politik që është, e di se pas vitit 1998, kjo gjë s’ka qenë asnjëherë e mundur. Ilir Meta dhe përkrahësit e tij (të inkorporuar më vonë tek entiteti LSI), nga mënyra sesi i kanë lëvizur velat, kanë përcaktuar qysh atëhere e deri më sot se kush është bërë kryeministër i Shqipërisë dhe kryebashkiak i Tiranës – Majko, Meta, Rama, Nano, Berisha, Basha, Veliaj.
Prandaj dhe Berisha mundohet t’i dërgojë Metës nga “Zona e Lirë” mesazhe mikëlonjëse, për një koalicion të mundshëm paszgjedhor, me shpresën se Meta nuk do të bëjë një koalicion parazgjedhor me Ramën. Sepse vërtet që koalicioni aktual Rama-Meta mund të mos marrë më dot 1 milion vota në zgjedhjet e ardhshme, por edhe koalicioni i rrudhur (pas ikjes së PDIU etj.) i Berishës mund të mos marrë më dot 680 mijë vota (sa ç’mori në 2013-ën).
Në fakt, një sondazh që zhvillova në Tiranë kohët e fundit tregonte se të dyja koalicionet aktuale kishin firo në vota (krahasuar me 2013-ën), por firoja ishte proporcionale në të dyja krahët. Dhe pavarsisht se Berisha ka deklaruar publikisht se nuk u beson sondazheve, deklarata e tij tek “Zona e Lirë” nënkupton se ai do të ketë parë ndonjë sondazh konfidencial, që i ka treguar sa më sipër…/Marrë nga Respublica.al/