Berisha: Nuk marrim pushtet me dhunë! Një dosje kriminale e shkallës më të lartë është dosja e AKSHI-t
Opozita u shpreh kryedemokrati Sali Berisha, nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë, por përmes një kryengritjeje të zgjatur dhe paqësore, të cilën ai e cilëson jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, ai deklaroi se largimi i mazhorancës aktuale mund të arrihet vetëm përmes qëndresës civile dhe mobilizimit të gjerë opozitar, duke shtuar se PD po bën përgatitjet për një lëvizje paqësore që, sipas tij, do të çojë në shpëtimin e vendit nga ajo që e quan një bandë kriminale në pushtet.
Pjesë nga bashkëbisedimi me qytetarët:
Fatos Doçi: Përshëndetje doktor, edhe sa do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë bandë kriminale në mënyrë paqësore. Ne jemi PD apo jemi media që merremi vetëm me denoncime, sepse iku dhe janari.
Sali Berisha: Pyetja juaj është e drejtë. Ne jemi PD, do të ndalemi këtu. Çfarë do të thotë kjo. Ne jemi partia që nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë, përkundrazi, kur këta e kanë marrë me dhunë pushtetin ne i kemi përzënë me votë.
Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe; se një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë, për shpëtimin nga kjo bandë, organizatë kriminale të vendit.
Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje.
Andon Kello: A do ketë kontribut opozita në ndryshimet kushtetuese për të cilat foli kryeministri?
Sali Berisha: Me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis. Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para ligjit për të gjitha aktet e tij, vjedhjet e tij monstruoze. Të dashur miq, dosja Balluku në fakt është dosja Rama.
Ne 6 mijë mesazhe të asaj dosje, shumica dërrmuese lidhet direkt me Palloshin e gjatë dhe janë të tijat direkt.
Në tre rreshta të asaj dosje, dy janë akuzë direkt për Edi Ramën. Por një dosje kriminale e shkallës më të lartë është dosja e AKSHI-t.
Ergys Agasi, ish-koordinatori i Edi Ramës për kartelet e drogës dhe bandat, është njeriu që me urdhër të Edi Ramës ka kontrolluar çdo të dhënë private, çdo telefon celular, çdo email të cilitdo person që Edi Rama i ka kërkuar atij, qoftë ky shqiptar apo i huaj.
Edi Rama me Ergyg Agasin ka kontrolluar në mënyrën më mafioze, duke ushtruar pengmarrje të pjesëmarrësve në tender, tenderat e AKSHI-t me qëllimin e vetëm që qindra milionë euro të shkojnë në kontot e familjes Rama nëpërmjet kunatit të Lindës së Surrelit dhe në fakt jo Lindës së AKSHI-t.
U faktua dje nga dosja se hakerat e kompjuterëve të SPAK-ut, komunikonin direkt me Edi Ramën dhe i nisnin atij direkrt të dhënat që hakeronin nga këto kompjutera. Dhe këto janë vetëm një pjesë e aferave.
Ju e mësuat Duranën se çfarë vjedhje e paimagjinueshme. Miq, kur ju mësuat se inceneratori i Tiranës 130 milionë euro nuk ekziston, por ato janë paguar, kjo ishte në bindjen time rasti i parë në jetën tuaj që kishit dëgjuar për një gjë të tillë.
Kurse pas tij na rezultojnë tenderat e AKSHI-t, në të cilat baxhanaku me prestanome fiton tendera me 98 përqind fitimin, pa bërë asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë punë, asnjë faturë për tenderin që ka fituar, por thjesht një transfertë të parave nga thesari i shtetit në kontot e tij bankare.
Edi Rama i jep kunatit në AKSHI tender me 75 milionë euro për përmirësimin e inteligjencës artificiale, një trillim fund e krye se si të marrin edhe 75 milionë të tjera pasi nuk ngopen.
Kështu që në këto rrethana, fjala e qytetarëve është vendimtare për shpëtimin nga ky regjim.
Ejona Rusa: Kampusi i Universitetit të Tiranës do të kalojë në Durrës, sipas Ramës. Kjo po ndodh në një kohë kur kolegji i Mogherinit ka marrë tokën e Universitetit Publik të Tiranës dhe kur kampusi i premtuar prej vitesh këtu në Tiranë, nuk po ngrihet. Cili është qëndrimi juaj?
Sali Berisha: Qëndrimi ynë është ky. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian, prokurorisë publike Europiane, OLAFI-t dhe EuroJust të hetojnë aferën Mogherini në Shqipëri, e cila sipas të dhënave tona paraprake është të paktën 7-8 herë më e madhe se ajo e Bryzhit.
Frederica Mogherini lobistja e Edi Ramës, ka një marrëveshje sekrete me Ramën për kampusin e Kolegjit Europian, të cilën Edi Rama e mban sekret dhe nuk ja dha ndonjëherë parlamentit me të cilën këta grabisnin tokën e kampusit për studentët e Universitetit të Tiranës. Tokë e kadastruar dhe përcaktuar përfundimisht kampusin e studentëve. Për të cilin është bërë dhe projekti. Për të cilin ishin përcaktuar dhe fondet dhe në një marrëveshje korruptive të plotë, këtë tokë Edi Rama e grabit së bashku me Mogherinin dhe nuk dihet se çfarë fature kanë taksapaguesit shqiptarë dhe çfarë fature kanë taksëpaguesit europianë.
Prandaj e garantoj Edi Ramën se, pa një hetim të plotë nga institucionet kompetente të akuzës së BE-së, asnjë lloj veprimi nuk do pranohet në këtë vend, dhe se historia e turpshme e korrupsioni Rama-Mogherini duhet të sqarohet në gjykatë.
Shyqyri Myrtollari: Përshëndetje. Nuk mendoni se Niko Peleshi duhet denoncuar në SPAK sepse po mban pezull heqjen e imunitetit të Ballukut.
Sali Berisha: Procedurat po shqyrtohen. Por në fakt, peng Niko Peleshi nuk është gjë tjetër veç se një ushtar mjeran i Edi Ramës.
Por çdo procedurë për shkelje të ligjeve dhe kushtetutën ne jemi të gatshëm ta paraqesim në institucionet përkatëse.
KOHA JONË SONDAZH

