Berisha paralajmëron: Protesta, e vetmja rrugë për t’iu imponuar narkoregjimit
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar ditën e sotme se opozita do të nisë protestat, “si e vetmja rrugë kundër narkoregjimit të Ramës”.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha foli edhe për seancën e të premtes, ku u votua qeveria “Rama 4”, ndërsa tha se opozita do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për të kundërshtuar atë që e quan “shkelje të kushtetutës”.
“Siç e patë ju, parlamentin e mbylli Edi Rama me Niko Peleshin, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët të mos kuptonin, të mos njiheshin me vjedhjet, shpërdorimet monstruoze të Kryeministrit, familjes dhe ministrave të tij. Shqiptarët të mos njiheshin me lidhjet e tmerrshme të krimit të ministrave dhe deputetëve të Edi Ramës. Shqiptarët të mos njiheshin me mashtrimet e mëdha që Edi Rama kishte përgatitur në të ashtuquajturin program të tij. Ndaj dhe përdorën dhunën, shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e rregullores për të mbyllur seancën. Kjo është një betejë në vazhdim. Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat. Është marrë një vendim që të kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’iu imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

