Berisha: PD i mbijetoi përpjekjeve për ta zhdukur
Në foltoren e kësaj të hëne para Kryeministrisë, që përkoi me Ditën e Rinisë, ish-kryeministri Sali Berisha riktheu vëmendjen te lëvizja studentore e dhjetorit 1990, në 35-vjetorin e saj. Ai e cilësoi vendin e tubimit si “sheshi i lirisë”, ndërsa vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin historik të studentëve që “rrëzuan diktaturën”.
Berisha përshëndeti qytetarët e pranishëm dhe i renditi studentët e dhjetorit si protagonistët kryesorë të ndryshimit të madh historik të vendit.
“Një përshëndetje dhe nderimin më të madh studenteve dhe studentëve të dhjetorit 1990, që të prirë nga tribuni legjendar i kombit, Azem Hajdari, ndanë epokat, përmbysën epokën e shtypjes më të egër dhe çelën dyert e lirisë për kombin tonë”, u shpreh ai.
“Në tri ditë, studentët gjunjëzuan regjimin”
Duke rikujtuar momentet e 8 dhjetorit 1990, Berisha theksoi se një grup i vogël studentësh të Universitetit të Tiranës “firmosën veten si të pamposhtur” dhe në pak ditë detyruan regjimin komunist të dorëzohej përballë presionit të rinisë.
Ai e krahasoi atë lëvizje me energjinë e të rinjve në botën e sotme, por nënvizoi se kushtet e vitit 1990 ishin jashtëzakonisht të vështira për aktivizmin qytetar.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha theksoi se sot Shqipëria nuk është më nën diktaturë, por sipas tij, sfidat demokratike mbeten të forta.
“Sot, pas 35 vitesh, ne nuk jemi më një diktaturë moniste. Studentët e dhjetorit nuk kishin një forcë politike që t’u dilte zot… Por ata fituan. Kurse sot shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD, parti e idealeve të dhjetorit”, deklaroi ai.
Berisha e paraqiti Partinë Demokratike si mbrojtësen e vlerave të lirisë, votës së lirë dhe dinjitetit kombëtar.
“PD është e dyta dhe e vetmja forcë në gjithë hapësirën ish-komuniste që iu mbijetoi përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot e betuar për të rikthyer në piedestal idealet e larta të dhjetorit”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

