
Partia Demokratike do të paraqesë amendamente për projektbuxhetin dhe paketën fiskale, me fokus rritjen e pagave, pensioneve dhe mbështetjen e shtresave në nevojë. Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka bërë të ditur se propozimet e PD-së do të synojnë ndryshime në shpërndarjen e fondeve publike, ndërsa ka ngritur akuza ndaj qeverisë për mënyrën e administrimit të buxhetit. Në prag të shqyrtimit nen për nen të buxhetit dhe paketës fiskale në Kuvend, Berisha konfirmoi se opozita do të paraqesë alternativën e saj ekonomike. “Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm”, deklaroi ai gjatë një komunikimi me gazetarët.
Rritje pagash dhe pensionesh, çfarë propozon PD?
Në qendër të propozimeve të demokratëve qëndron rritja e të ardhurave për qytetarët. Sipas Berishës, PD do të kërkojë një rritje prej 50% të pagës minimale dhe 30% të pagës mesatare, ndërsa minimumi jetik propozohet të përcaktohet në nivelin 200 euro. Një tjetër pikë e rëndësishme e amendamenteve lidhet me pensionet, për të cilat kreu i opozitës kërkon një mekanizëm rritjeje progresive, me objektiv dyfishimin e tyre. “Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre”, u shpreh Berisha.
Kritika ndaj paketës fiskale: Goditen bizneset dhe profesionet e lira
Berisha kundërshtoi ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale, duke argumentuar se ato do të rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik dhe konsumatorët. Sipas tij, taksimi i profesioneve të lira, përfshirja e mbi 17,500 bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së dhe dyfishimi i taksës mbi dividentin përbëjnë masa që rrezikojnë të frenojnë investimet dhe të rrisin kostot për qytetarët. Kreu demokrat vuri në pikëpyetje edhe efektin e uljes së TVSH-së për produktet ushqimore, duke pretenduar se përfshirja e njësive tregtare në skemën e tatimit mund të zbehë përfitimet e konsumatorëve. Sipas tij, barra e re fiskale mund të reflektohet në çmime më të larta për mallrat dhe shërbimet.
Berisha ngre akuza për shpenzimet buxhetore
Një pjesë të deklaratës së tij, kryetari i PD-së ia kushtoi shpenzimeve të administratës dhe fondeve për investimet publike. Duke bërë një krahasim me vitin 2013, Berisha pretendoi se shpenzimet operative janë rritur nga 300 milionë euro në 930 milionë euro, ndërsa rreth 500 milionë euro prej tyre i konsideroi abuzive. Akuza të forta ai drejtoi edhe për mënyrën e përdorimit të fondeve të investimeve. Sipas pretendimeve të tij, nga 2.2 miliardë euro të planifikuara, të paktën 1.8 miliardë euro rrezikojnë të shpërdorohen për shkak të korrupsionit. Për këtë arsye, Berisha bëri të ditur se opozita do të propozojë reduktimin e fondit të investimeve në 700–800 milionë euro, duke argumentuar se një administrim më efikas do të mundësonte realizimin e më shumë projekteve publike.
Përplasja për buxhetin zhvendoset në Kuvend
Kreu i demokratëve kritikoi edhe mënyrën e zhvillimit të debatit parlamentar, duke akuzuar mazhorancën se kufizon hapësirën e deputetëve të opozitës për të argumentuar propozimet e tyre. Pavarësisht kësaj, Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të paraqesë amendamentet dhe alternativën e saj ekonomike, si në Kuvend, ashtu edhe përpara opinionit publik.
