Beslim Hoxha, figura e ndritur e arsimit Shqiptar
Nga Dr. Sulejman Sula
Edhe pak ditë mësuesi pukian, Beslim Hoxha, mbush 80 vite jetë. E parë kjo vetëm si jetë njerëzore është fare pak, është anashkalim, prej identitetit të tij si personalitet i vërtetë, qytetar i mirëfilltë, familjar shembullor, intelektual i spikatur dhe si mësues e drejtues për 36 vite në shkollat e ciklit të ulët dhe ato parauniversitare të rrethit. Ish-nxënësi i tij i shkëlqyer, në vitet 60-të, farmacisti i dëgjuar Kolec Daja, dha këtë vlerësim: “Beslimi është ndër tre mësuesit më të mirë të rrethit. Për mësimdhënie, si drejtues shkolle dhe si qytetar është modeli i njeriut të mirë, i cili ka manifestuar mentalitet gjerman.”
Beslimi është lindur më 29 prill 1935. Është pinjoll në njërën nga familjet më të dëgjuara e të mirëfillta qytetare të Pukës. I ati, Haxhi Hafiz Elez Hoxha, ishte një njeri me personalitet dhe njohuri poliedrike, me kulturë të gjerë dhe si teolog i kompletuar ka drejtuar si myfti në disa prefektura dhe kryemyfti për zonën e veriut të vendit. Si mendje e ndritur, mbetet një protagonist i shquar që para, gjatë luftës e pas Çlirimit dhe në demokraci. Si atdhetar në të gjitha ngjarjet kulmore të rrethit dhe kombit ka dhënë kontribute me idealin “më parë atdhetar, pastaj fetar”. Ishte kryetari i parë i Komitetit Ekzekutiv të rrethit.
Migjeni –vigani i letërsisë shqipe dhe thirrjes së fuqishme në krah të njerëzve të varfër e në nevojë, për sa jetoi e punoi në Pukë, njeriun më të afërt me të cilin qëndronte, konsultohej dhe shprehej lirshëm ishte Elez Hoxha. Gjatë një vizite në shtëpinë e tij, me ndjeshmërinë e mësuesit dhe parashikimin e një mendimtari e atdhetari, e këshilloi atë që Beslimi, fëmija 2 vjeçar, të studiojë për mësuesi, duke u bërë mirë për të ardhmen e tij dhe shkollimin e fëmijëve të nënprefekturës. Këtë gjë e dëshironte dhe nëna e tij, Sinane Sadik Velia.
Shkollimi i Beslimit, ka diçka të veçantë nga moshatarët, pasi dy klasë fillore i kreu në vendlindje dhe menjëherë pas Çlirimit, fillon klasën e tretë si konviktor në qytetin e Shkodrës, ku në vitin 1954 përfundon shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”. Në moshën 19-vjeçare, fillon rrugën e gjatë, të vështirë e shumë të nderuar në misionin e mësuesisë. Emërohet drejtor i shkollës 7-vjeçare të Iballës, zona më e thellë. Kjo shkollë qe simbol i arsimit për nënprefekturën e Pukës, pasi ajo është e para dhe daton në vitin 1903, me mësues të parë të mirënjohurin Kolëzeza dhe më vonë Kolë Bib Mirakaj- politikan i dëgjuar. Kishte 90 nxënës prej fshatrave Iballë, Lëvosh dhe Sapaq. Beslimit, i vlejti shumë përvoja dhe dashamirësia e mësuesve shkodranë Enver Gjylbegu dhe Hamit Hebovia, që shërbyen atje.
Me të gjitha energjitë, së bashku me stafin në luftë me konceptet konservatore e patriarkale, duke punuar shtëpi në shtëpi, arriti të bindë dhe të përfshijë në arsimin 7-vjeçar të tëra vajzat e reja të tre fshatrave, madje dhe të hiqen shamitë e kokës, si manifest i të kaluarës. Me katër kurse intensive brenda vitit u arrit të zhduket analfabetizmi për burrat e gratë deri në moshën 40 vjeç. Për të parën herë u ngrit grupi folklorik i zonës, i cili zuri vendin e parë në festivalin e rrethit në vitin 1957.
Për 4 vite shërbeu si Zv. drejtor i shkollës 7-vjeçare te qytetit Pukë, dhe jep lëndën e gjuhës shqipe. Ndonëse dallohej për okupim, intensitet e cilësi pune si në drejtim e mësimdhënie, filloi të ndjejë rëndim nga qënia klerik e të atit. Por megjithatë, Beslimin e kërkonte puna, pasi ishte zot i saj. Në vitin 1962 për nevoja emergjente të seksionit të arsimit, emërohet për një vit drejtor i shkollës së re 7-vjeçare Flet, ku vetëm muret e dallonin për të tillë. Brenda tre muajsh gjendja ndryshoi dhe u arrit në mirëfunksionimin e shkollës. Në vitin 1963-1965, transferohet si drejtor i shkollës 7-vjeçare Qerret, ku jep dhe lëndën e gjuhës. Në këto kushte, përfundon me korrespondencë studimet e larta për gjuhë shqipe e letërsi, duke u bërë ndër të parët arsimtarë të lartë nga rrethi. Ai nuk e ndjeu gjatë kënaqësinë e punës së bërë, pasi përvojën e fituar ia kërkuan ta transmetonte si drejtor i shkollës 7-vjeçare Kabash. Me përpjekje të mëdha, bashkë me trupin mësimor arritën të dërgonin shumë të rinj e veçanërisht vajza për të mësuar brenda e jashtë rrethit.
Drejtuesit e arsimit të rrethit nuk reshtën së ngarkuari me punë. Jeta dhe puna e tij po merrte rrugën e një nomadi. Kështu bëhej jo se atë nuk e donin, por se besonin në aftësitë e tij. Vetëm katër muaj qëndroi si drejtor i shkollës 7-vjeçare në Kryezi dhe për vitet 1967-1969, emërohet Zv. drejtor i shkollës së mesme dhe drejtor i konviktit në Pukë, pa iu ndarë mësimdhënies. Përvojën e fituar në arsimin e ciklit të ulët e transmetoi të perfeksionuar me elementë novatorë e sipas kërkesave të arsimit parauniversitar. Me gjithë arritjet, tek ai nuk zuri vend vetëkënaqja e mburrja, por mbi bazën e përvojës së fituar si drejtues i spikatur e mësues metodik, gjurmonte, studionte dhe zbatonte norma dhe kritere të arsimit më bashkëkohor. Me këto arritje, emri i tij merr vlera të mëdha pedagogjike, pasi përvoja dhe rezultatet ishin në nivele ende të paarritura nga kolegë të tjerë. Megjithatë thjeshtësia, çiltërsia, edukata, kultura dhe njerëzllëku te ai nuk nxitën vese të madhështisë apo nënvlerësimit të kolegëve. Tek ai ishte spikatur figura e qytetarit, intelektualit, mësuesit model dhe drejtuesit të thjeshtë me plot arritje në përparimin dhe edukimin e brezit të ri. Me lëvizjet e shpeshta, ai emërohej në shkollat ku vështirësitë dhe pengesat ishin më të mëdha.
N Sapo mbushi 15 vite punë, në shtatë shkolla, atë përsëri e kërkon një detyrë e re. Për vitet 1969-1975 kryen detyrën e zv. drejtorit e më pas të drejtorit në shkollën e mesme pyjore Fushë-Arrëz, e cila në vitin 1973 u bë shkolla e mesme e bashkuar Pyjore-gjimnaz. Emërimi i tij si drejtor, për të parën herë në arsimin e rrethit, u bë në dhe nga kolektivi, megjithëse Organizata e partisë kishte mendime të tjera. Në të dy shkollat e mesme punoi me staf prej 40 mësuesish, me përgatitje të lartë e cilësi në mësimdhënie. Me personelin pedagogjik mbante lidhje shoqërore dhe pune si kolegu me kolegun. Me metodën e ballafaqimit dhe të këshillimit, si bashkëpunëtor mes tyre, zgjidhte gjithçka në të mirë të metodikës dhe tematikës në programet e mësimdhënies dhe të edukimit të rinisë.
Kur fama dhe emri i tij, për drejtime mësimdhënie ishin në zenit, dhe gjithçka shkonte për mbarë, në shkollë filloi të ndihej nevoja e shërimit nga sëmundje si liberalizmi, zbutja e luftës së klasave, e deri tek pastrimi nga elementë të padëshiruar. Organizata e partisë në bashkëpunim me disa prindër komunist, akuzuan shkollën për zbutje të luftës së klasave dhe se ka nxënës që nuk sillen mirë dhe kanë shfaqje të huaja e thyerje të disiplinës. Nënteksti ishte alaudim për drejtorin, si liberal, pasi këtë prejardhje ka. Për gjithçka të paqenë, gjah dhe kurban u bë drejtori, pasi e vërteta dhe realiteti nuk e përligjnin ligësinë ndaj tij. Shkolla ishte model dhe kjo e konfirmuar nga zv. ministri i arsimit. Rrethi e kishte vlerësuar si njërën nga tre shkollat më të suksesshme, ajo kishte fituar në olimpiadën e matematikës dhe gjuhës, dhe se qe e vetmja shkollë që bënte eksperimentim shkencor, ku disiplina, përgatitja e nxënësve dhe pjesëmarrja në punët prodhuese ishin të vlerësuara për mirë. Mendimi, bindja dhe fjala e kolektivit “de-fakto” ishin në krah dhe pro-drejtorit. Kjo e sfidonte politikën e partisë për kuadrin, edhe pse “de-juro” vendosi fuqia e para-arsyes se partisë. Ai ishte njeri nga mësuesit më të aftë dhe dalluar, gjatë tërë punës është vlerësuar për kontributin si drejtues metodik në arsim dhe për lëndën e gjuhë-letërsisë, i përfshirë dhe në punën kërkimore-studimore, përqendruar fuqishëm në toponime me fjalët e urta të komunitetit.
Që nga viti 1975, për 12 vite shërbeu si mësues i lëndës gjuhë-letërsi në shkollën 8-vjeçare Kryezi dhe deri sa doli ne pension në vitin 1990 dhe mësim në shkollën 8vjeçare Breg.
Beslimi është një rast unikal i mësuesit veteran, pasi në 36 vite punë shërbeu në 11 shkolla nga të cilat 9 të fshatra dhe 2 në qytet, për 21 vite kreu detyrën e drejtorit ose zv.drejtorit dhe për 15 vite si mësues. Gjatë tërë viteve të punës nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore dhe nuk ka bërë asnjë shkëputje të vetme nga puna. Nga çdo kontroll ka marrë vlerësime të shprehura vetëm me gojë dhe disa herë është shpërblyer me shtesë page, por asnjëherë nuk u nderua me tituj apo dekorata, ndonëse puna e bërë, rezultatet e arritura dhe autoriteti i tij gjatë tërë kohës qenë në nivele të baraz-vlefshme apo dhe mbi ato të shokëve e kolegëve që i përfituan ato. Vetëm nga Ministria Arsimit është vlerësuar dy herë me distinktivin “mësues i dalluar”. Në fushën e arsimit ai sakrifikoi e dha shumë nga jeta e tij. U largua në moshën 19-vjeçare nga gjiri i familjes, ku largësia dhe detyra nuk ia krijuan mundësinë për të qenë më shpesh pranë prindërve, vëllezërve e motrave në raste gëzimi e për nevoja. Edhe pse ka kaluar vështirësi, ai nuk bën viktimën as mburravecin, madje si njeri kurajoz dhe i panënshtrueshëm, shfajëson duke thënë: “këto ishin kushtet, kështu e kishte profesioni dhe se ajo qe koha.”
Me 12 emërime dhe kohë-qëndrimi mesatar 3 vite në detyrë, karriera e tij mbeti shumë e pasur. Lëvizjet e shpeshta si të gurit të shahut e kanë lodhur dhe munduar atë. Gjithnjë ato janë bërë me të vetmin motivacion: “të emërojmë për përforcim.”
Në vështirësitë e kaluara në Fushë-Arrëz, kujton se për 12 vite familja e tij prej 10 frymësh qe strehuar vetëm në një dhomë e guzhinë. Por më rëndë e ka ndjerë veten nga mos-afrimi i bursave për të studiuar jashtë rrethit 4 fëmijët e tij të parë, për rrjedhojë ato mbetëm vetëm me arsimin e mesëm. Kjo ishte plaga dhe pengu i kohës kur ai u bë kurban i “liberalizmit në shkollë”. Të prekësh mbi fëmijët, prindi nuk të fal, ndaj në shenjë besimi te unë dhe të afërsisë së gjakut me nënën time, i disiluzionuar nga ky qëndrim u shpreh se: “Investova gjithçka për arsimin, po sistemi nuk investoi për mua”. Nga sakrificat e tij ngushëllohej kur shikonte pranë vetes që kishte vajzat e reja- mësuese të ardhura nga rrethe të largëta dhe që mbaheshin për shumë vite e “plakeshin” në Pukë. I emocionuar kujton rastin e dy mësueseve nga Shkodra, të cilat punuar respektivisht 12 dhe 18 vite, duke u martuar në moshën 34 e 37 vjeçe.
Jeta dhe aktiviteti i tij si drejtues dhe mësues janë vlerësuar nga kolegët, si përvoje e vyer e me vlera, si arritje metodike, sjellje e qëndrim qytetar, dhe më së shumti, si kulturë e përgjithshme që nevojitet për çdo mësues të suksesshëm. Ai, në themel të punës, kudo, kurdo e me këdo, vuri trinomin nxënës-mësues-prind. Me nxënësit krijoi marrëdhënie të shkëlqyera dhe në çdo rast të afrueshme, ku ndëshkimi më i madh prej tij qe këshillimi dhe për asnjë rast e arsye ofendimi apo dhunimi fizik. Mësuesit e çdo moshe, gjinie, niveli dhe prejardhje, i donte dhe vlerësonte pa dallim. Në punë i konsideronte kolegë dhe bashkëpunëtorë, jashtë saj si shokë e miq. Për 21 vite si drejtues shkolle, nuk ndëshkoi asnjë mësues dhe nuk propozoi asnjë masë. Konsulenca profesionale ishte tipari i drejtimit prej tij.
Qëndrim afrues dhe vlerësues mbante me komunitetin e prindërve, me të cilin këshillohej e konsultohej për punën me nxënësit dhe bërë atë si hallkë nxitëse, promotore të mbarëvajtjes e arritjeve në shkollë. Rrjedhojë e gjithë kësaj pune e bashkëpunimi ishte arritja më e lartë se në shkollat e tjera e kalueshmërisë dhe nivelit të notës mesatare të nxënësve, si dhe përfshirjes së tyre në shkollat e ciklit më të lartë. Ky qëndrim dhe këto arritje e bënë atë të gëzonte reputacionin e modelit të njeriut të mirë, të kolegut dhe të drejtuesit më të vlerësuar nga moria e arsimtarë me të cilët punoi.
Me dashurinë dhe kujdesin e tij dhe të bashkëshortes, Sanie rritën, edukuar, arsimuan dhe nxorën në jetë 8 fëmijë. Me shembullin e mirë të të atit, katër prej fëmijëve mbaruan studimet e larta, Ylberi për mësuesi, Bilbili për mjekësi (urolog i njohur në Spitalin Qendror Tiranë), Dardanesha mjeke gjinekologe dhe Darjaniti për jurist. Vajzat Nebaret, Sabrinaze, Yllmihana dhe Vaide, morën arsimin e mesëm. Të gjithë kanë krijuar familjet e veta dhe kanë fëmijë. Katër prej të cilëve, me vendbanim jashtë shtetit. Ylberi në Itali, Darjaniti në Gjermani, Yllmihana në Amerikë dhe Dardanesha në Kanada. Rrethi i gjerë shoqëror dhe ai familjar e mbajnë afër dhe e respektojnë mësuesin veteran- përfaqësuesin më të denjë të arsimit, Beslim Hoxhën, pasi ai përfaqëson dhe mbart vlerat më të spikatura të qytetarit, familjarit, intelektualit, mësuesit, drejtuesit të arsimit dhe njeriut publik. Lidhjet shoqërore me të afërta i ka mbajtur me mësuesit Sylë Bejtia, Kadri Halili, Kapllan Çoba, Enver Draçini, Zyhdi Heqimi, Muharrem Neziri, Ismet Bala, “mësuesit e popullit” Ndue Pjetri, Enver Gjylbegu, Kolec Qefa, “mjeshtër i madh” Xhemal Meçi, “mesuesit e merituar” Ramadan Hoxha, Ndue Ded Vukzaj, Pashk Lekaj, mësuesit Ndue Prengë Çuni, Yllka Ibra, Eda Bërdica, Gjinovefa Volaj, Adem Laçi, Sherif Laçi, Zef Delia, Mark Zef Jaku, etj.
Në fëmijërinë e Beslimit, i ati ishte larg shtëpisë. Një porosi i pati lënë vëllezërve pas tij, Halilit dhe Brahimit: – “Mos më vini prapa mua, por Beslimin ma bëni me shkollë”. Kështu u bë. Amaneti u mbajt. Me shkollë si arsimtar e drejtues, çau rrugët e jetës në arsim, duke treguar kudo vlera. Krenar dhe kokë-ulur për sa jetoi i ati, kurrë nuk shfaqi kundërshti, përkundrazi si shokë të vërtetë mes tyre, diskutonin, arrinin mirëkuptimin dhe bënin atë që bashkë vendosnin. Kështu po i kalon jeta në harmoni dhe me vëllezërit: Bilal, Vehbi e Musa, si edhe e motrat: Sanije,Lejla dhe Hamide. Është modest kur thotë se: “Mendoj se mora sa më takoi”, por shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e shumtë që e njohën apo me të cilët punoi, i dinë se vlerat dhe kontributet e tij, meritojnë të nderohen më shumë me titull, urdhër apo medalje nga nomenklatura. Mos të lihet më, që harresa të ndëshkojë njerëz me vlera të spikatura si mësues e drejtues, Beslim Hoxha.
Megjithëse 80 vjeçar dhe plak për nga mosha, nga pamja dhe gjendja ende është si një burrë me plot shëndet dhe aktiv me mendje të kthjellët,duke mos iu ndarë dijes. Në këtë përvjetor, kushdo që e njeh i uron jetë të gjatë në rehatinë që ka gjetur në kryeqytet, shëndet të plotë dhe lumturi.