Beteja ndaj informalitetit, Rama-biznesit: Pa kupona, nuk do të paguheni!
Në shtator qeveria do të nisë aksionin e paralajmëruar kundër informalitetit.
Në një takim me punonjësit e tatimeve dhe taksave, kryeministri i vendit Edi Rama tha sot se qeveria “është e vendosur t’i shkojë deri në fund betejës së re për vendosjen e plotë të rendit ligjor në hapësirën e aktivitetit ekonomik dhe tregtar në vend”.
Rama nënvizoi se aksioni i shtatorit ndaj bizneseve informale “nuk është një betejë kundër biznesit, por është një betejë për të mbrojtur konsumatorin dhe biznesin nga ata që vjedhin paratë që i duhen shtetit për të ulur taksat.”
Kryeministri u bëri apel bizneseve që të marrin masa e të heqin dorë nga evazioni fiskal nëse në shtator nuk duan të ndëshkohen nga ligji. Ai bëri të qartë se qytetarët nuk duhet të paguajnë nëse nuk iu japin kupona tatimorë.
“Një nga masat do të jetë një thirrje publike dhe detyrimi për çdo biznes në shtator, ku konsumatorit nëpërmjet një tabele që do të vendosë çdo biznes, i thuhet të mos paguajë nëse nuk i jepet kuponi”, – tha Rama.
Kryeministri ka bërë thirrje që të denoncohet çdo shkelje e padrejtë e punonjësve të doganave e tatimeve . “Do të propozojmë masa të reja për të gjithë ata që marrin ryshfete. Falenderim për çdo biznes të rregullt dhe masë për atë që ka shkelur ligjet”, tha Rama.
Më tej kryeministri Rama shtoi se: "Fitorja e kësaj beteje do të sjellë ulje taksash dhe rritje rrogash. Ulja e informalitetit është e barabartë me një hov të ri zhvillimi ekonomik e social”.