Betohen 415 policë të rinj, ministrja Koçiu: Uniforma që mbani është simbol i besimit që shteti dhe publiku ka mbi ju

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu përgëzoi 415 studentët e Akademisë së Sigurisë pas përfundimit me sukses të kursit “Patrullë e Përgjithshme”. Ajo tha se ky është një moment i rëndësishëm në nisjen e karrierës profesionale të këtij brezi të ri të punonjësve të Policisë së Shtetit.

”Ky është një moment i rëndësishëm në fuqizimin dhe ripërtëritjen e trupës së Policisë së Shtetit. Uniforma e punonjësit të policisë është një uniformë e rëndë, mbi të cilën peshojnë pritshmëritë e qytetarëve për standarde më të larta sigurie në çdo sferë të jetës. Sot bëheni pjesë e një force, që kërkon të ecë përpara duke përmirësuar sistemin e ndjekjes së pasurive kriminale, forcimin e hetimeve shkencore, ngritjen e kapaciteteve kibernetike, përdorimin e teknologjive inteligjente në terren e shumë sfida të tjera”,-tha Koçiu.

Duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të punonjësve të policisë me komunitetin dhe qytetarët, Koçiu nënvizoi se ”misioni juaj mund të realizohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, prandaj në këtë detyrë uroj të ecni përpara me forcën e shembullit personal. Me shembull personal kam parasysh integritetin, respektin dhe përgjegjësinë për detyrën dhe imazhin tuaj”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministrja solli në vëmendje edhe besimin e publikut dhe institucioneve te punonjësit e policisë. Koçiu konfirmoi mbështetjen e qeverisë dhe institucioneve për trupën e Policisë së Shtetit. ”Unë ju garantoj që mbështetja e Qeverisë shqiptare, e MPB, e DPPSH do të jetë e pakursyer, e jashtëzakonshme, me qëllim që ju të dilni e përfaqësoni me nder uniformën që mbani”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në mesazhin drejtuar punonjësve të rinj, tha se qytetarët presin një polici më afër tyre, më njerëzore, më profesionale dhe më të drejtë. ”Organizata vetë pret që përmes punës suaj të përditshme të forcohet akoma më shumë besimi te Policia e Shtetit. Në çdo situatë, busulla juaj është ligji, jo zgjidhjet personale. Punoni me pasion dhe përulësi. Respektoni hierarkinë, bashkëpunoni me kolegët dhe mos harroni se çdo veprim i juaji është pasqyra e imazhit të institucionit tonë”, theksoi Proda. Në përzgjedhjen e kandidatëve janë mbajtur parasysh edhe disa kritere gjinore, duke treguar kujdes të ketë një numër sa më të madh femrash. Ky është kursi i 20-të i studentëve që certifikohen nga Akademia e Sigurisë, e cila është një institucion i arsimit të lartë i akredituar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?