Bien çmimet e prodhimit

icp

Indeksi i çmimeve të prodhimit vazhdon të shënojë rënie. Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit është ulur përkatësisht me 0.8 %, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2015 dhe me 0.6 %, në krahasim me tremujorin e dytë të këtij viti.

Uljen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit zërin “industri përpunuese” me 1%. Brenda kësaj industrie, vihet re rënia e çmimeve të prodhimit të produkteve në përpunimin e tekstileve me 5.8 %, prodhimin e lëkurës dhe produkteve prej lëkure me 2.3 % dhe konfeksionimin e veshjeve me 0.2 %.

Çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë nxjerrëse kanë shënuar rritje me 0.4%, duke vazhduar tendencën në rritje të tremujorit parardhës. Brenda kësaj industrie, vihet re rritja e çmimeve të prodhimit në nxjerrjen e mineraleve metalore nga minierat me 3.4 %.

Por, vazhdojnë të jenë në  rënie çmimet e prodhimit në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto dhe gazit natyror me 0.9 %. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar ulje me 2.9 %, krahasuar më të njëjtën periudhë të 2015.

Një ulje të konsiderueshme kanë pësuar çmimet e prodhimit për eksport në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 11,7 %. Nëse i referohemi, Indeksit të Çmimeve të Importit, vihet re një rënie me 1.6 %, në krahasim me tremujorin e tretë të 2015 dhe me 0.6 % në krahasim me tremujorin e dytë këtij viti.

Në seksionin e industrisë nxjerrëse, indeksi i çmimeve të importit ka shënuar ulje me 6,1 %, ndërsa në aktivitetin e industrisë përpunuese ky indeks ka rënë me 1,6 %. Në tremujorin e tretë të 2016, ndryshimi tremujor i indeksit është -0.6%.

Çmimet e Importit në seksionin “Industria Përpunuese” shënuan rënie me 0,5 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

SHKARKO APP