Bizneset me borxhe, do të bllokohen në tatime dhe dogana

Administrata tatimore dhe ajo doganore bëhen “një” sa i përket ndëshkimit ndaj detyrimeve të akumuluara ndaj tyre prej sipërmarrjes së lirë private që ushtron aktivitetin e saj në vendin tonë. Kështu, sipas një marrëveshje të nënshkruar mes tyre, parashikohet bllokimi i procedurave përkatëse rej secilës administratë, nëse një biznes privat rezulton të figurojë me borxh në to. Teksa mësohet se në total, bizneset private që operojnë në vend, kanë një borxh afro 85 miliardë lekë, si në tatime edhe në dogana. Dhe duke synuar pikërisht shlyerjen e tij, subjektet që kanë një borxh fiskal të trashëguar në kuadrin e kësaj shume totale, nuk do të lejohen tani e tutje që të kryejnë procedura tatimore nëse kanë një borxh në dogana, apo anasjelltas, nuk do të lejohen të kryejnë procedura në doogana, nëse kanë një borxh të akumuluar në sistemin tatimor. Konkretisht, doganat dhe tatimet do të kenë një sitem të dhënash on-line për verifikimin e subjekit dhe nëse rezulton debitor nuk do të mund të kryejë zhdoganim, apo një procedurë tjetër tatimore. Pikërisht, këtij qëllimi i shërben marrëveshja e nënshkruar dje nga krerët e Tatimeve dhe Doganave, Briseida Shehaj dhe Elisa Spiropali, e cila synon sipas tyre rritjen e luftës ndaj informalitetit. "Borxhi në administratën tatimore është i madh, diku tek 70 e ca miliardë lekë. Për herë të parë e kemi bërë procedurën e ankandit dhe shitjen e aseteve të të gjitha kompanive të cilat janë debitore karshi administratës tatimore, një procedure e pabërë asnjëherë në 22 vite të kësaj administrate. Gjëja më e mirë është që subjektet debitore si në dogana dhe tatime do të quhen një administratë dhe do të thuhet një debitor në tatime nuk mund të bëj importe në dogana, dhe një debitor në dogana nuk mund të bëjë aktivitete tek tatimet", tha Brisedia Shehaj, drejtore e Pergjithshme e Tatimeve, lidhur me një marrëveshje të tillë. Ndërsa nga ana tjetër, shefja e administratës doganore, Elisa Spiropali, do të theksonte se “borxhi i doganave është më i vogël, rreth 10 miliardë lekë, por gjithsesi sipas saj, mjaft i konsiderueshëm. “Kjo marrëveshje parashikon edhe këtë bashkëpunim mes nesh, është pikërisht një nga risitë që marrëveshja sjell. Nëse subjektet janë debitore, do të pengohet veprimtaria e tyre, qoftë në tatime apo dogana", sqaroi Spiropali. Në fund, zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj deklaroi se kjo marrëveshje ka tre shtylla kryesore: shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, kontrollet e përbashkëta me plane pune të specifikuara dhe mbledhjen e detyrimeve. 

 

Kryetatimorja

“Gjëja më e mirë është që subjektet debitore si në dogana dhe tatime do të quhen një administratë dhe do të thuhet një debitor në tatime nuk mund të bëj importe në dogana dhe një debitor në dogana nuk mund të bëjë aktivitete tek tatimet”

 

Kryedoganierja

“Borxhi i doganave është më i vogël se ai i tatimeve, rreth 10 miliardë lekë, por i konsiderueshëm. Kjo marrëveshje parashikon edhe këtë bashkëpunim mes nesh, që nëse subjektet janë debitore, do pengohet veprimtaria e tyre, qoftë në tatime apo dogana"

 

SHKARKO APP