Bizneset në gjyq me Tatimet, ja si të përfitoni nga falja e detyrimeve
Tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ligji i faljes, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit e rekursit. Kjo është formula për të përfshirë në ligjin e faljes edhe bizneset që janë në gjyq me Tatimet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur për të gjitha bizneset se, në zbatim të nenit 11, të ligjit nr.33/2017, “Për pagesën dhe fshirjen, shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes, shuarjes së detyrimeve tatimore”, përfitojnë falje të detyrimeve.
Njoftimi
“Tatimpaguesi, i cili është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore, i nënshtrohet procedurës së faljes, nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente”, – thuhet në njoftimin e Tatimeve. Për të përfituar nga ligji i faljes deri në fund të vitit, tatimpaguesit e përfshirë në një procedurë ankimimi, nëse do të duan të përfitojnë nga ky ligj, më parë do të duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, aktin e heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit. Aktet e dorëheqjeve, më pas dërgohen nga Drejtoritë Rajonale në adresë të strukturave përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim përfshirjen në faljen automatike që do të bëhet në sistemin elektronik.
Taksat
Të gjithë ata që kanë deklaruar me vonesë deklaratat e sigurimeve, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të pasqyrave financiare apo destinimit të fitimit, mund të përfitojnë nga drafti i fundit i faljes fiskale, i cili parashikon fshirjen e gjobave prej 10 mijë lekësh për deklaratë, që vë automatikisht sistemi, në rast vonese apo mosdeklarimi të tyre. Falen edhe gjobat e listëpagesave që ka vendosur sistemi. Në ligj është parashikuar edhe afati kohor për të përfituar. Të gjitha deklarimet e padorëzuara duhet të mbyllen deri në fund të qershorit të këtij viti. Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave, janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin: -dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2016; – dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.
Falja e taksave
Taksat e papaguara nga biznesi dhe individët, që i përkasin periudhës para 31 dhjetorit të vitit 2010, do të falen plotësisht. Në draftin përfundimtar të qeverisë mësohet se, falja e pjesshme e detyrimeve tatimore është një projekt i nisur në verën e vitit të kaluar, por që pritet të finalizohet vetëm tani, pak muaj para zgjedhjeve. Drafti parashikon që të gjitha detyrimet e lindura para 31 dhjetorit 2010 të falen plotësisht, pavarësisht llojit të tyre, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore. Për këtë kategori falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat.
/GSh