Bizneset: “Nuk përdorim vaj palme”
Alban Zusi, Drejtor Ekzekutiv i “Albanian Food Industry” dhe kompanitë Conad, Klegen, Mirel, Lufra, Erzeni dhe Gjiro Farma, kanë reaguar sot në lidhje me çështjet e vajit të palmës në gjalpë dhe djathë.
Paraprakisht Ju falënderojmë për prezencën dhe shprehim vlerësimet maksimale për median (nga të cilat veçojmë gazetarinë investigative), e cila në kuadër të kryerjes së misionit të saj, shpeshherë ka zëvendësuar veprimin e munguar të institucioneve shtetërore, për identifikimin dhe publikimin e problematikave serioze, e shumë serioze që impaktojnë negativisht shoqërinë dhe ekonominë.
Jemi përpara jush në këtë konferencë për shtyp për të parashtruar qëndrimin tonë lidhur me kronikën e përcjellë nga mediat dy ditë më parë, për konkluzionet e ISUV apo një punonjësi të ISUV se kompanitë Conad, Klegen, Mirel, Lufra, Erzeni dhe Gjiro Farma , prodhojnë apo tregtojnë gjalpë e djathë duke i përzier me vaj palme, i cili sipas tij është shumë i rrezikshëm dhe lidhet me disa sëmundje.
Gjithçka u tha dhe u konkludua për kompanitë tona është tërësisht e pa vërtetë dhe se garantojmë konsumatorët tanë se në asnjë rast ne nuk e kemi përdorur këtë përbërës.
Qëllimi i këtij prononcimi nuk është ky që sapo thamë, pasi konkluzionet për këtë do i nxjerrë procesi hetimit administrativ i deklaruar se ka filluar nga AKU dhe nga hetimi penal që ne kemi adresuar në organet e ndjekjes penale.
Por në fakt qëllimi këtij prononcimi është parashtrimi përpara jush dhe mbarë opinionit publik se akuzat të tilla haptazi të pabaza, janë veprime të mirëfilli mafioze që jo vetëm cënojnë interesat e ligjshme të kompanive tona-lider në këtë fushë, por kanë qëllim uzurpimin e manipulimin e tregut dhe shkaktojnë panik dhe pasiguri ke qytetarët.
Pikërisht për këtë arsye kemi kërkuar hetime penale për të zbuluar personat që kanë iniciuar, dhe shtytur këtë manipulim dhe mekanizmin e veprimit me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Vlerësojmë të nevojshme të evidentojmë e vlerësojmë sërish median si një aleat i pazëvendësueshëm dhe i sigurtë i biznesit, pasi ndër vite ka goditur e vijon të godasë fenomenet e informalitetit dhe cenimit të konkurueshmërisë – veprime të cilat kanë qenë një suport i vazhdueshëm për ne.
Faleminderit!