Biznesi prapë në Kushtetuese

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës do të çojë për  interpretim në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në Kodin Penal të botuara tashmë në Fletoren Zyrtare dhe që pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit janar. Duke shënuar në këtë mënyrë, përpjekjen e dytë të biznesit vetëm brenda pak kohësh për të kërkuar shpjegim dhe argumentim nga organi i lartë gjyqësor për ligjet e miratuara së fundmi nga qeveria në kurriz të kategorisë së tij.

Teksa ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë masa drastike ndëshkuese që shkojnë deri në 10 vjet burg për kontrabandë, deri në 1ë vit për moslëshim kuponi dhe deri në 3 vjet nëse subjekti ushtron aktivitet pa kasë fiskale. Konkretisht, ankimimi që do të bëjë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Gjykatën Kushtetuese vjen pas asaj të bërë pak kohë më parë nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve për ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe që rezultoi i drejtë pasi togat e zeza u shprehën në favor të biznesit. Kjo gjë solli edhe pezullimin e zbatimit të ndryshimeve.

Ndërkaq, sipas burimeve nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, tashmë është bërë gati i gjithë dokumentacioni që do t’i dorëzohet organit më të lartë të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa do të dilet me një qëndrim zyrtar në mesin e javës së ardhshme. Por kjo nuk do të jetë çështja e vetme që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë do të paraqesë përballë nëntë gjyqtarëve të Kushtetueses. Sipas të njëjtit burim do të kërkohet interpretim edhe për mbivendosjen e disa ligjeve, si dhe për taksimin në fushën e ndërtimit, siç është taksa mbi infrastrukturën, e cila ka hyrë në fuqi dhe që parashikon rritjen nga 3% në 8% për ndërtimet në Tiranë. Një taksim që rëndon mbi ndërtuesit dhe që pritet ta vërë tregun në vështirësi.

SHKARKO APP