Biznesi serb i interesuar për investime në Fier

 Takimi është iniciuar nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, dega Fier, Shezai Çobo, si një domosdoshmëri e kërkuar nga vet komuniteti i biznesit fierak. Në këtë takim merrte pjesë dhe kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla duke shtuar edhe më shumë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e një takimi të tillë, i cili sipas tyre ka qenë shumë i nevojshëm në krijimin e urave të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kryesisht në koordinimin e punëve mes biznesmenëve fierakë dhe atyre serb. Kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj u prezantoi përfaqësuesve nga Serbia resurset e rajonit të Fierit dhe mundësitë e bashkëpunimit të biznesit fierak me atë serb. Të njëjtën gjë bëri dhe kryetari Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Pancevo-s, Dragan Bosilj duke u fokusuar më tepër tek prodhimi i plehrave kimike, disa monstra të të cilave i kishte sjellë me vete në këtë takim. Ajo që doli si një domosdoshmëri nga ky takim ishte organizimi i një konference të përbashkët, që sipas kryetarit të bashkisë Fier duhej të zhvillohej në Serbi. Ambasadori i Serbisë, Miroljub Zariç, u shpreh i gatshëm që të krijojë marrëdhënie më tepër të ngrohta se kortezie, jo vetëm në fushën e biznesit. Ai ftoi kryetarin e Bashkisë Zeqaj dhe drejtuesin e dhomës së tregtisë në një vizitë të afërt në ambientet e ambasadës Serbe. "Së bashku të diskutojmë gjerësisht dhe me detaje për çdo bashkëpunim të mundshëm dhe nismë që mund të marrim. Marrëdhëniet tona jam i sigurt që do të forcohen edhe më tej”,- tha diplomati serb.

Vladimir Muçaj 

SHKARKO APP