Biznesi, sërish qeverisë: Tërhiquni nga ashpërsimi i masave penale

 

Biznesi i kërkoi sot sërish qeverisë që të tërhiqet nga ashpërsimi i masave penale kundër evazionit, pasi sipas dhomave të tregtisë ato nuk do të kenë efekt. Nikolin Jaka tha se rritja e represionit do fuqizojë më shumë njerëzit e lidhur me pushtetin.

“Bizneset informale kontrabandiste, kanë qënë ortakët e pjesës së zezë të politikës. Pra, nuk është se biznesi me penalizime të rritura tashmë mund të formalizohet. Jo. Unë ju siguroj që sado t'i rrisni penalizimet, po ata njerëz të kontrabandës dhe informalitetit do të jenë dhe më të fuqishëm”, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Përfaqësuesit e biznesit ishin në komisionin e ekonomisë për t'u pyetur mbi paketën e re fiskale.

“Çfarë na shtyn ne të shtojmë akcizën për prodhimn vendas, presioni ndërkombëtar apo presioni i importit”, tha Stefan Pinguli.

“Si mund të vijë të investojë një industri e huaj këtu, të ëj një fabrikë, kur e ka më mirë ta sjellë nga importi birrën se taprodhojë në vend. Sepse kostot tona janë më të larta se importi”, tha Luan Bregasi, Biznes Albania.
 
Industria e sigurimeve kërkon që të anullohet rritja e taksës mbi primin nga 3 në 10 për qind.

“Kjo tendencë për të rritur taksën me 10% në të gjitha produktet mendoj se do të frenojë zhvillimin e kësaj industrie”, tha Avni Ponari.

Ndërsa shoqata e turizmit kërkojnë uljen e TVSH në 10 për qind për ta barazuar me rajonin.

“Nuk bëhet fjalë për të konkurruar rajonin, Malin e Zi që ka një të tretën e të gjithë resorteve dhe Kroacinë se na ka lënë prapa në kohë. Po ne po na konkurron Maqedonia me një gjysëmliqeni”, tha Zak Topuzi, shoqata e turizmit.
 
Komisioni i ekonomisë vendosi t’i dëgjojë bizneset gjatë shqyrtimit nen për nen të paketës fiskale, pasi draftet janë miratuar sakaq parimisht nga Parlamenti. 

SHKARKO APP