Blendi Gonxhja: Festime në ditën e Flamurit në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak

Për herë të parë, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, organizoi aktivitete kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak, me rastin e festave të Nëntorit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhaj përcolli pamje nga festimet në rrjetet sociale, duke sjellë dhe detaje.
Salla në Bujanoc të Luginës së Preshevës jehoi me këngën Besa-Besë, të performuar nga nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” bashkë me publikun, në kuadër të manifestimit kulturor të 28 Nëntorit përmes programit kulturore “Nëntor Lugine” të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Mbi 607 artistë e krijues të angazhuar dhe mbi 3,500 pjesëmarrës të pranishëm në evente, publik, të rinj, nxënës, komuniteti i gjerë dhe dashamirës të artit e kulturës shqiptare që u bashkuan për të festuar.

Kjo nismë vjen menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në shtator, si dhe pas vizitave zyrtare të zhvilluara këtë vit në Luginën e Preshevës, të cilat u realizuan nën kujdesin dhe vëmendjen e posaçme të Kryeministrit Rama.
Gjatë këtyre vizitave, u thellua dialogu me komunitetin shqiptar, institucionet lokale, dhe të rinjtë që mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në Luginë.
“MTKS dhe institucionet e saj, mbeten plotësisht të përkushtuar të forcojnë bashkëpunimin me Preshevën dhe të gjithë Luginën, duke mbështetur nismat kulturore, panairin e librit, artistët e rinj, aktivitetet komunitare dhe çdo përpjekje që ruan, zhvillon dhe promovon identitetin shqiptar”, shkruan Gonxhja.
Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përcolli momente nga festimet në Preshevë.
“Zemrat kuqezi në Luginën e Preshevës, ku breza shqiptarësh festuan ditët e Pavarësisë dhe Çlirimit, me mbështetjen e Qeverisë shqiptare dhe Ambasadës tonë në Serbi, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, për të trashëguar me krenari vlerat, traditën dhe kulturën shqiptare”, shkroi MEPJ në rrjetet sociale.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?