Blendi Klosi: Komisioni i Bujqësisë, hapësirë për ligje dhe politika sektoriale
Kryetari i Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, Blendi Klosi, u shpreh sot se krijimi i komisioneve të reja përbën një hapësirë shtesë për trajtimin e ligjeve thelbësore dhe politikave që zhvillohen në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij në takimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Klosi theksoi se, duke qenë një komision i sapokrijuar, është marrë një vendim për ndarjen e tij në tre nënkomisione: për infrastrukturën dhe zhvillimin rural, për ushqimin, si dhe për mbështetjen financiare të bujqësisë.
Ai bëri të ditur se, pavarësisht se ka pasur më pak veprimtari krahasuar me komisionet e tjera, puna e komisionit ka qenë intensive dhe e strukturuar. Sipas Klosit, janë zhvilluar 11 mbledhje të komisionit, katër dëgjesa publike me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, si dhe dy dëgjesa me ministrin përgjegjës.
“Komisioni është për t’u vlerësuar edhe për nivelin e bashkëpunimit dhe rakordimit me kabinetin e ministrit përkatës të Bujqësisë, duke krijuar një raport shumë pozitiv me institucionin që mbulon fushën e përgjegjësisë sonë”, u shpreh Klosi.
Klosi kërkoi gjithashtu që, për shkak të fokusit të veçantë të komisionit në një sektor të caktuar, atij t’i delegohen edhe çështje nga komisione të tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me bujqësinë, në mënyrë që të shfrytëzohet më mirë hapësira parlamentare.
“Ky është një komision me potencial të madh për diskutim dhe për t’u shndërruar në një platformë të rëndësishme për politikat e bujqësisë”, theksoi ai.
Në fund, Klosi u ndal te prioritetet e punës në nisje të sesionit të ri parlamentar, ku përfshihen ligjet që burojnë nga procesi i integrimit evropian, monitorimi në terren i sektorit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të fondeve publike në mbështetje të bujqësisë.
KOHA JONË SONDAZH

