Bleri, fitues i “MasterChef Albania 2”
“Të them të drejtën nuk e prisja edhe pse e doja shumë e me të gjithë zemrën. Më në fund ky trofe është i imi. Dhashë maksimumin për ta arritur këtë gjë. Është një ëndërr e realizuar për mua. Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar, më duket sikur nuk po e kuptoj se çfarë po ndodh, por jam unë fituesi”, thotë Bleri.
TCH: Recetat e fëmijërisë funksionuan apo jo?
“Funksionuan padyshim. Kuzhina më e mirë në botë është ajo e gjyshes sime, ajo kuzhinë që më ka dhënë shumë dhe më ka rritur, ndërsa sot (të dielën) më bëri edhe fitues të MasterChef Albania 2”, vijoi më tej Bleri, i cili këtë triumf “ia dedikon gjyshit dhe gjyshes së tij”.
Bleri 21-vjeçar ka zbuluar pasionin e tij për kuzhinën në moshën 11-vjeçare dhe të ardhmen e tij e sheh si shef i afirmuar. Fitorja i dha atij trofeun e “MasterChef Albania 2”, çmimin prej 10 mijë eurosh dhe mundësinë për të botuar një libër me recetat e tij të gatimit.
Bleri mbërriti në finale së bashku me Indritin nga Kruja në një garë prej 14 javësh. Në finale, tematika e gatimit ishte e lidhur me festën e të dashuruarve, “Shën Valentinin”.
“E desha, e arrita dhe po i gëzohem tani që e kam afër. Është e imja”, u shpreh i lumtur Bleri.
Pjatat e realizuara në mbrëmjen finale i përkisnin kuzhinës së lartë dhe me plot gojën Bleri, bashkë me Indritin, tashmë quhen shefa të vërtetë, vlerësim ky i bërë edhe nga tre shefat, Sokol Prenga, Gëzim Musliaka dhe Renato Mekolli.
Aplikimet për konkurrentët që duan të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm të “MasterChef” janë hapur.
“Nëse doni të jeni pjesë e kësaj ëndrre kaq të bukur, mjafton thjesht një ‘click’ për t’u bërë pjesë e MasterChef-it të tretë shqiptar, i cili së shpejti do të fillojë sezonin e tij të ri. Bashkë do të jemi në sezonin e tretë. Mirë u takofshim deri atëherë”, njofton njëri prej 3 shefave të jurisë, Renato Mekolli. / Top Channel